Shqipëri, vetëm 10 të infektuar, lirohen disa masa
Kurba e të infektuarve në Shqipëri vijon të ketë paqëndrushmëri....

Kurba e të infektuarve në Shqipëri vijon të ketë paqëndrushmëri sa u përket shifrave.
Teksa të shtunën u regjistruan 34 të infektuar, ditën e djeshme u shënuan 14 raste ndërsa këtë të hënë vetëm 10 të tilla.
Sipas mjekëve epidemiologë, si referim për kurbën e Covid 19 merret numri i pacientëve të shtruar, i cili është i qëndrueshëm. Ndërkaq, harta e të prekurve është zgjeruar vetëm në Tiranë dhe Shkodër.
“Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 212 persona të dyshuar me ‘COVID-19’. Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 10 raste pozitive me COVID19, nga të cilat 9 raste janë në Tiranë, shumica kontakte familjare, dhe 1 rast i ri është në Shkodër. Deri në këto momente janë testuar 7491 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me ‘COVID-19’, 736 raste” – tha Zv.Ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli.
Këtë të hënë kanë rihapur qepenat të gjitha dyqanet me pakicë si dhe shërbimi taksi. Gjatë ditës deri në orën 17.00 ka pasur fluks të madh qytetarësh dhe automjetesh, pavarësisht urdhrit të qeverisë për kufizim të lëvizjes. (Luljeta Ndoka, TVM2)
