Maqedoni
Tre vjet nga dhuna në Kuvend, Spasovski: Dita më e errët në historinë e vendit
27.04.2020 16:58
Tri vjet nga dhuna në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, e cila mbahet mend si “e enjtja e përgjakshme”....

Tri vjet nga dhuna në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, e cila mbahet mend si “e enjtja e përgjakshme”, opinioni ende pret zbardhjen e plotë të rastit dhe dënimin e organizatorëve dhe dhunuesve të tempullit të demokracisë. Deri më tani 17 persona janë dënuar me 211 vite burg, ndërsa 15 persona mes të cilëve dhe deputetë u amnistuan me ligj.
Tre vjet nga dhuna në Kuvend, ende vazhdojnë proceset gjyqësore për një pjesë të dhunuesve. Të fundit në tryezën e të akuzuarve, sipas prokurores Vilma Ruskoska, u ulën edhe organizatorët Trajko Veljanovski, Spiro Ristovski, Mile Janakievski dhe Vladimir Atanasovski. I akuzuar në këtë rast është edhe ish kryeministri në arati, Nikolla Gruevski.
Kryeminsitri Oliver Spasovski e quajti si dita më e errët në historinë më të re të vendit.
“Më 27 prill të vitit 2017, me qëllim monstruoz dhe dhunë ishte organizuar dhe zbatuar aksion kriminal nga liderët e partisë së atëhershme qeveritare, të cilët ishin të vendosur të qëndrojnë në pushtet me çdo çmim, pa ndjenja për pasojat e ambicieve të tyre të errëta”.- shkruan Spasovski në profilin e tij në fejsbuk.
Taravari: Organizatirët, ende në liri
Aleanca për Shqiptarët shpreh shqetësimin që tre vjet nga ngjarja e dhunshme, ku më keq e pësoi kreu i kësaj partie, Ziadin Sela, organizatorët vazhdojnë të jenë liri ose në pushtet.
“Ju e dini se tashmë kjo datë mbahet mend nga të gjithë si dita që desh mori jetën e z.Ziadin Selës, kryetarit të partisë tonë, i cili ishte i vetmi kryetar i ndonjë partie shqiptare që mori pjesë në betejën historike të kësaj date të 2017-ës, kur u rrëzua një regjim që e mbylli dhe izoloi totalisht mbi 10 vjet RMV-në, një regjim i përbërë nga binomi BDI - VMRO. Sot, 3 vjet pas këtij rasti, fatkeqësisht organizatorët kryesor të ngjarjes së 27 prillit, janë jashtë shtetit ose nëpër koloaret e pushtetit, kurse njeriu që e shpëtoi z.Selën, z Feta Halimi, është në burg padrejtësisht!”- tha Arben Taravari nga ASh.
Gazetarët e dhunuar padisin shtetin
Në emër të shënimit të kësaj dite të zezë për demokracinë dhe avokimit për lirinë e shprehjes dhe sigurinë e gazetarëve, një grup gazetarësh sot ka paraqitur padi.
“Paditë kundër shtetit u paraqiten për të përcaktuar shkeljen e së drejtës së lirisë së shprehjes dhe për të kompensuar dëmin jopasuror. Këto padi vijnë pas thirrjes së SHGM-së me qëllim për të ofruar ndihmë juridike për gazetarët dhe punonjësit mediatik që u sulmuan ose pajisjet e tyre u shkatërruan në Kuvend gjatë asaj ngjarjeje.” – thuhet në kumtesën e SHGM-së.
SHPËTIM NUREDINI
