Në Beograd, mbrëmë kishte gjithçka përpos futbollit
Pas një torture të paparë në Beograd, futbollistët shqiptarë dhe i gjithë stafi teknik rreth orës 03:25 minuta të mëngjesit të sotëm kanë arritur në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Tiranë.......

Ata u pritën nga mijëra qytetarë si heronj të vërtetë pas asaj që dëshmuan në fushë edhe përkundër presionit të paparë ndonjëherë. U sulmuam nga tifozët, por edhe nga forcat e sigurisë, ka thënë kapiteni i Kombëtares Shqiptare, Lorik Cana nga Vip-saloni i aeroportit.
“Kemi qenë të rrethuar jo vetëm nga tifozët që u futën në fushë, por edhe nga ana e masave të sigurimit të stadiumit dhe sigurisht vendosëm që në njëfarë mënyre të kthehemi në dhomat e zhveshjes. E keni parë pak a shumë gjendjen e disa lojtarëve tanë që ishin të goditur, fatmirësisht jo në ekstrem, por gjithsesi me shenja. U mblodhëm bashkë me presidentin dhe delegatët e UEFA-s, me delegatin e Sigurisë në Federatën Serbe dhe ne dy kapitenët dhe ne, në mënyrë unanime, së bashku me të gjithë lojtarët vendosëm që në atë situatë, në ato kushte, me atë gjendje fizike të disa lojtarëve, të cilët ishin dëmtuar në fytyrë, por edhe nga gjendja morale, sigurisht edhe siguria në stadium, e cila nuk ishte e duhura për një përfaqësim të të dy vendeve, loja nuk mund të vazhdonte mëtej”- deklaroi kapiteni i Kombëtares Shqiptare, Lorik Cana.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, tha se loja në Beograd ishte e dhunshme.
“Ne respektuam gjithçka të rregullave që kërkon loja, të asaj që gjithë këta futbollistë që ishin atje e dashurojnë aq shumë, e për të cilën shkuan, shkuan për të përfaqësuar kombin e tyre, por ishin ata që e dhunuan dhe e dëmtuan shumë lojën në Beograd. Më vjen keq që nuk arritëm të përfundonim 90 minutat e ndeshjes në ato kushte, më vjen keq që nuk iu dhuruam ndoshta më shumë, sepse këta njerëz që kanë ardhur sot në aeroport meritojnë shumë më shumë se sa kaq. Por, më besoni që ka qenë e pamundur”- tha presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.
Edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka reaguar lidhur me ngjarjet në stadiumin e “Partizanit” në Beograd. Ai, në “Facebook” shkruan se ndihet krenar me lojtarët tanë, por jo edhe me fqinjët, që sipas tij, lanë shfaqje të shëmtuar.
“Krenar për Kuqezinjtë që për sa pati futboll fituan me lojë e me raste. Keqardhje për fqinjët qe lanë nam botërisht me shfaqjen e shëmtuar”- shkruan Rama.
Por, ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, për atë që ndodhi në ndeshjen Shqipëri-Serbi nuk e ka parë fajin në Beograd, madje, duke mos shprehur keqardhje për sulmin ndaj futbollistëve shqiptarë, ai thekson se: “Kjo nuk ka ndodhur kurrë në asnjë ndeshje të futbollit dhe është e përgatitur paraprakisht. Për mua është çështje kryesore se si do të reagojë Bashkimi Evropian dhe UEFA, pasi që dikush nga Serbia ta shpaloste flamurin e “Serbisë së Madhe” në Tiranë apo në Prishtinë, kjo do të ishte çështje e rendit të ditës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Në këtë incident, po përmendet që këtë e ka bërë vëllai i kryeministri të Shqipërisë, i cili këtu do të duhej të ishte si mysafir. E gjithë kjo ka dimensione politike në këtë ngjarje dhe ky është provokim politik”- ka thënë Daçiq për mediat serbe. Ai, ka thënë se gjatë tërë ditës diplomatët nga BE-ja kanë bërë presion që tifozët shqiptarë, që u mbajtën në aeroport, të jenë të lirë të shkojnë në stadium edhe pse nuk kishin bileta.“
Serbia nuk mban asnjë përgjegjësi për ndërprerjen e kësaj ndeshje”- ka thënë Daçiq.
Federata Evropiane e Futbollit pritet që pas ndërprerjes së ndeshjes të sjellë vendim për t’i dhënë fitoren kombëtares shqiptare, si dhe dënime të mëdha për Federatën Serbe, për shkak të organizimit të dobët dhe futjes së tifozëve në fushë. (Naim Sinani, TVM2)
