UEFA dhe FIFA dënojnë dhunën
Harry Been, delegat i UEFA-s në ndeshjen kualifikuese për Kampionatin evropian të futbollit, ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, që është ndërprerë mbrëmë vonë, ka vlerësuar se ajo që ndodhi mbrëmë , ishte një situatë “për keqardhje”.........

“Ne kemi një situatë për keqardhje, për të cilën ne do të raportojmë, zyrtarët e UEFA-s që ishim këtu, referi, unë dhe këshilltari i sigurisë. Rrethanat ishin të tilla sa që ne nuk kemi mundur ta vazhdojmë ndeshjen. Të gjithë e keni parë se çka ka ndodhur dhe unë nuk mund të komentoj për atë se kush duhet të fajësohet për atë që ka ndodhur. Unë do të raportoj së bashku me kolegët e mij në UEFA dhe ajo do të vendosë se çka do të ndodhë mëtutje”, tha Harry Been, në një konferencë për gazetarë mbrëmë vonë në Beograd.
Edhe Sepp Blatter, presidenti i FIFA-s, ka dënuar dhunën e shfaqur në ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë.
Numri një i futbollit botëror duke dënuar dhunën që solli ndërprerjen e ndeshjes, pas sulmit të tifozëve serbë në drejtim të futbollistëve kuqezi, ka thënë se “Futbolli asnjëherë nuk duhet të përdoret për mesazhe politike. Dënoj fuqishëm atë që ndodhi në Beograd”, ka shkruar Blatter në profilin në rrjetin social Twitter.
