Maqedoni

MASh: Nuk kemi sjellë vendim për vazhdimin e mësimit

28.04.2020 15:12

Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe vet ministri i arsimit, Arbër Ademi, e kanë demantuar lajmin për rihapjen e shkollave më 18 maj.....

Në profilin e tij në Facebook ministri Ademi e ka shpërndarë një vendim që kinse e ka sjellë ministria, duke sqaruar se bëhet fjalë për lajm të rrejshëm. Ndërsa në reagimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës thuhet se lajmi nuk është i vërtetë dhe se akoma nuk është marrë vendim për rihapjen e shkollave.
 
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës mohon informacionin që u botua sot në disa media në lidhje me një dekret gjoja të miratuar nga Qeveria, me të cilin shkollat fillore dhe të mesme do të vazhdojnë të funksionojnë nga 18 maji i vitit 2020. Dëshirojmë t’ju informojmë se ky është informacion i rremë dhe një dokument që nuk është përgatitur fare nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe as që është miratuar nga Qeveria. Kjo temë nuk është diskutuar në seancat e qeverisë ditëve të fundit. Për të gjitha vendimet e marra nga institucionet e sistemit në mënyrë të koordinuar gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, publiku do të informohet gjithmonë në kohën e duhur nga shërbimet përgjegjëse për marrëdhëniet me publikun”,- thuhet mes tjerash në reagimin e MASh-it.
 
Nga Ministria e Arsimit njëherit apelojnë që të mos krijohen dhe shpërndahen lajme të rrejshme, sepse kjo krijon shqetësim tek qytetarët. Pas këtij njoftimi mbetet në fuqi vendimi i Qeverisë i sjellë më 10 mars, për ndërprerjen e procesit edukativo-arsimor në kopshtet për fëmijë, arsimin fillor, të mesëm dhe atë të lartë, në kuadër të masave parandaluese për mospërhapjen e virusit korona që i ndërmarrin institucionet e Maqedonisë së Veriut. 
 
GYLTENE SINANI