Maqedoni
Gostivar, 10 raste aktive me Kovid-19
28.04.2020 15:55
Shtabi ndërkomunal i emergjencës – Gostivar, mbajti mbledhjen e dymbëdhjetë....

Shtabi ndërkomunal i emergjencës – Gostivar, mbajti mbledhjen e dymbëdhjetë, me ç’rast institucionet relevante raportuan për gjendjen aktuale me pandeminë Covid-19. Në dy ditët e fundit, në rajonin e Gostivarit janë regjistruar edhe 3 raste të reja të infektuar me Covid-19, me çka numri i përgjithshëm i të infektuarve u ngrit në 17. Deri më tani, 202 persona janë testuar, 10 raste janë aktive, 6 në komunën e Gostivarit dhe 4 në komunën e Vrapçishtit, një i prekur ka ndërruar jetë dhe 6 janë shëruar.
Po ashtu komuna e Gostivarit ka bërë shpërndarjen e 100 I-Pad-ëve, donacion të Kompanisë “Ecolog”. Këto pajisje u dedikohen nxënësve të cilët nuk kanë pasur mundësi të ndjekin mësimin nga distanca. Aslian Snopçe - përgjegjëse për arsim pranë komunës së Gostivarit, tha se deri më tani dhe në bashkëpunim dhe me kompanitë e tjera, në Gostivar janë dhuruar 300 pajisje teknologjike, ndërsa nevoja është dhe për shumë të tjera.
LULZIM AZIRI
