Maqedoni
Spasovski: Më 1, 2, 3 maj, ora policore fillon prej orës 14. Filipçe: Është herët të ndërpritet ora policore
28.04.2020 17:50
Qeveria ka sjellë vendim që qytetarët në të gjithë territorin e vendit, më 1, 2 dhe 3 maj...

Qeveria ka sjellë vendim që qytetarët në të gjithë territorin e vendit, më 1, 2 dhe 3 maj të mund të lëvizin deri në orën 14, kur fillon ora policore, e cila do të zgjasë deri në orën 5 të mëngjesit. Siç ka bërë të ditur kryeministri, Oliver Spasovski, neëprofilin e tij facebook.
“Më 1, 2 dhe 3 maj, gjegjësisht e premte, e shtunë dhe e diel, lëvizja e qytetarëve do të lejohet prej orës 5 të mëngjesit deri në orën 14:00. Ndalimi i lëvizjes në të gjithë vendin do të fillojë në orën 14:00 dhe do të zgjasë deri në orën 5 të mëngjesit. Për personat mbi 67 vjeç, të premten, të shtunën dhe të dielën, lejohet lëvizja prej orës 5 deri në 11 të mëngjesit. Të gjithë fëmijët dhe të rinjtë deri në moshën 18 vjeç do të mund të dalin jashtë të premten, të shtunën dhe të dielën prej orës 12:00 deri në orën 14:00.”
Ndërkohë, ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, vlerëson se është ende herët të ndërpritet karantina gjatë vikendit.
“Edhe deri në fund të kësaj jave, por edhe në fillim të javës së ardhshme, janë shumë të rëndësishme rekomandimet, tani për tani ora policore mbetet.”,- u shpreh ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Ndërsa MPB ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit 42 persona nuk e kanë respektuar orën policore, prej të cilëve 32 janë arrestuar. Ndërsa 103 personave të tjerë policia u ka dhënë vërejtje për mosmbajtje të maskës.
Gjithashtu gjatë 24 orëve të fundit është marrë vendim për izolimin e 53 personave, ndërsa 76 persona kanë nënshkruar deklaratë për vetizolim, si pasojë e pandemisë Covid-19.
Policia ka kryer 2 mijë e 629 kontrolle të personave në izolim dhe vetizolim, ku nuk janë regjistruar shkelje të masave.
Në Maqedoninë e Veriut në karantinë shtetërore brenda 24 orëve të fundit janë futur 32 persona.
REJHANE BUSHI METAJ
