Botë

Komiteti Ndërkombëtar për Shpëtim: Një miliard njerëz mund të infektohen me Kovid-19

28.04.2020 18:39

Britania e Madhe ka shënuar 633 të vdekur nga virusi Korona...

Kjo shifër është shumë më e lartë se ajo që u shënua një ditë më parë. Kështu, numri i përgjithshëm i të vdekurve nga Covid-19 në Mbretërinë e Bashkuar shkoi në 21,731. 
 
Në Angli u shënuan 546 të vdekur, në Skoci 70 dhe në Uells 17 viktima të reja. Britania është në mesin e vendeve më të prekura nga koronavirusi në Evropë, bashkë me Italinë, Spanjën, Francën dhe Gjermaninë.
 
SHBA-ja, është vendi më i prekur në botë për nga numri i të vdekurve, me 56 253 vdekje për 988 469 raste. Të paktën 111 583 persona janë konsideruar të shëruar nga autoritetet amerikane. 
 
Turqia nisi të martën në SHBA një aeroplan me pajisje mjekësore dhe mbrojtëse, për ta ndihmuar atë në luftën kundër koronavirusit. Ndihma përmban maska kirurgjikale, dezinfektues, syze dhe mburoja të fytyrës.
SHBA-ja e cilësoi këtë si “donacion bujar”. Por ,Turqia është e shtata në botë për nga numri i rasteve me koronavirus, por zyrtarët kanë njoftuar se numri i të infektuarve të rinj dhe i viktimave është duke rënë. Sipas Ministrisë turke të Shëndetësisë, në këtë vend janë infektuar 112,000 njerëz, ndërsa kanë vdekur 2,900. 
 
Në Iran është shënuar numri rekord i të infektuarve gjatë 24 orëve të fundit, ku janë regjistruar 1 mijë e 112 raste të reja. Gjithsej në këtë vend janë 92.584 persona të infektuar. Numri i të vdekurve brenda 24 orësh është 71 ndërsa numri i përgjithshëm i viktimave është 5.877.
 
Deri më tani në gjithë botën janë konfirmuar 3 milionë raste të prekura nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi i ri, ndërkohë që mbi 200,000 pacientë kanë vdekur.
 
Numri i të infektuarve me virusin korona, mund ta arrijë në një miliard në gjithë botën, nëse shteteve më të cenueshme nuk u ofrohet ndihmë urgjente, ka paralajmëruar Komiteti Ndërkombëtar për Shpëtim. Komiteti ka përmendur se “shteteve të brishta” sikurse Afganistanit dhe Sirisë u duhet “ndihmë urgjente” për të parandaluar shpërthimet e mëdha.
 
FARIJE DAUTI BAKIU