“Ebola” po fiton garën me kohën

15.10.2014 15:29

Bota nuk po e mban dot ritmin e nevojshëm për frenimin e virusit vrastar, ndërsa muaji dhjetor rrezikon të sjellë me mijëra infektime të reja......

OKB jep alarmin, nevojiten më shumë fonde për ndërtimin e qendrave mjekësore e për shtimin e personelit të specializuar.

“”Ebola” po vrapon më shpejt se ne dhe është duke e fituar këtë garë. Nëse nuk arrijmë ta vëmë nën fre, nëse nuk përmbushim dot objektivat tona dhe numri i të sëmurëve rritet në mënyrë dramatike, siç parashikojnë disa, atëherë plani që kemi ndërmend nuk i përgjigjet dot përmasave të krizës së re”- deklaroi shefi i misionit të OKB-së për “Ebolën”, Anthony Banbury.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, la të kuptohej se po të vazhdohet me këtë ritëm infektimi, e po nuk u shtuan përpjekjet për frenimin e epidemisë, brenda dy muajve të ardhshëm numri i rasteve të reja në javë mund të mbërrijë deri në 10 mijë.

Që bota nuk po bën sa duhet përballë kërcënimit të “Ebolës”, këtë e pohoi të martën edhe presidenti amerikan, Barack Obama. Kriza do të përbëjë boshtin e një video-konferencës, që shefi i Shtëpisë së Bardhë mbajti me liderët britanikë, francezë, gjermanë e italianë.