Liria e mediave, ende shqetësuese

15.10.2014 15:34

Maqedonia tenton që të bëjë reforma në sferën e mediave, por pasqyra reale për lirinë e shprehjes dhe mediave në vend është e zbehtë.....

Në indeksin e Organizatës “Reporterët pa kufi”, Maqedonia brenda katër viteve  ka rënë për 89 vende më poshtë, duke marrë kështu pozitën e 123-të në listën për lirinë e medias.

Drejtori ekzekutiv i “Reporterëve pa kufi”, Kristian Mir, sugjeron  që qeveria të punojë më shumë në drejtim të lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias. 

“E para, Maqedonia të pranojë plotësisht lirinë e mediave në pajtueshmëri me standardet ndërkombëtare, të mos i frikojë mediat me atë se do të keqpërdoret Ligji për Ofendim dhe Shpifje, të jenë transparent në shpalljet qeveritare. Qeveria e Maqedonisë duhet të demokratizojë një draft të Ligjit për Media dhe qeveria me çdo kusht të lirojë gazetarin Tomisllav Kezharovski”- deklaroi drejtori ekzekutiv i “Reporterëve pa kufi”, Kristian Mir.

Sipas drejtoreshës së Komitetit të Helsinkit, ligjet janë për t’u zbatuar në praktikë, por kjo tek ne mungon.

“Nuk është e mjaftueshme të kemi kornizë ligjore të përshtatshme kur kemi praktikë të politizuar dhe partizuar. Problemi i Maqedonisë është i përhapur në më shumë instrumente. Nuk bëhet fjalë vetëm për faktin se mediat janë nën ombrellën e pushtetit, bëhet fjalë për gjyqësor që sjell vendime selektive dhe është nën ndikimin e pushtetit ekzekutiv”- tha drejtoresha e Komitetit të Helsinkit, Uranija Pirovska.

Por, ekspertët e fushës janë skeptikë se situata me lirinë e mediave mund të ndryshojë vetëm sepse Komisioni Evropian ka theksuar mungesën e lirisë së mediave në raport-progresin e fundit. Sipas tyre, organizatat ndërkombëtare duhet të shtojnë presionin që Maqedonia të realizojë edhe në praktikë obligimet ligjore. (Sanije Kasami, TVM2)