Maqedoni

Sistematizimi i ri në RTM, Avziu: Më shumë vende për të punësuarit në TVM2

29.04.2020 14:46

Së shpejti pritet të mbaron brenga e shumë të punësuarve në RTVM...

Së shpejti pritet të mbaron brenga e shumë të punësuarve në RTVM të cilët kanë vendime jo-adekuate të punës. Sekretari shtetëror i MSHIA Adem Avziu dorëzoi në RTM aktet sistematizimin e ri për organizimin e brendshëm të servisit publik. Sistematizimi i servisit publik me vite të tëra endej dyerve të institucioneve për shkaqe teknike dh arsyetime të tjera.
 
"Ashtu siç e cekëm edhe më herët gjatë hapjes së programit 24 orë në gjuhën shqipe kishim bërë të gjitha përpilimet dhe konsultimet për sistematizimin për analizën funksionale dhe organizimin e brendshëm të insitucionit në fjalë, sot edhe definitivisht kam dorëzuar të gjitha aktet e sistematizimit dhe pëlqimet të cilat janë të nevojshme për funksionimin e këtij institucioni."- tha Adem Avziu, sekretar shtetëror në MSHIA.
 
Në sistematizimin e ri rritet ndjeshëm numri i vendeve të punës për servisin e dytë. Kanali 24 orësh në shqip në RTM, tashmë ka të planifikuara 115 vende pune, që përfshijnë redaktorë gazetarë e producentë. Me këtë, dhe me punësimet në pjesën teknike sipas Avziut, mundësohet funksionim normal i TVM2 dhe të gjitha serviseve të tjera programore në radio dhe televizion. 
 
"Përveç programit të parë në gjuhën maqedone i cili parasheh 129 vende të punës, për programin e dytë janë planifikuar 115 vende pune të reja,  të cilat do të plotësohen nga kuadër i brendshëm i cili veçmë është brenda institucionit si dhe vendet të cilat nuk janë të plotësuara do të ketë konkurse dhe hapje të vendeve të reja të punës, me qëllim të funksionimit normal dhe pandërpre të programit 24 orë në gjuhës shqipe."- tha Avziu.
 
Ibrahimi: Mundësi për punësime e riorganizim të brendshëm
 
Janë paraparë punësime të reja edhe për programet radio dhe për të tre kanalet e reja në servisin publik, TVM3, TVM5 dhe në kanalin e bashkësive joshumicë, TVM4. Zv drejtori i përgjithshëm i RTM-së Harun Ibrahimi u shpreh falenderues sidomos për faktin se sistematizimi i ri i mundëson TVM2 punësime të reja por edhe avancime të kuadrit ekzistues.
 
“Publikisht mund të falenderoj sekretarin shtetëror në MSHIA, i cili sot dorëzoi edhe aktet për sistematizim dhe për funksionim normal të tetë serviseve, tashmë të reja të cilat funskionojnë në kuadër të servisit publik. Me miratimin e këtyre dokumenteve është me rëndësi se do të mundësohet lëvizja horizontale dhe vertikale e të gjithë të punësuarve në RTVM, e në mënyrë të veçantë të servisit të dytë të gjuhës shqipe, i cili tashmë ka kohë që ka filluar me 24 orë. Më bën të kënaqur dhe jam i lumtur që edhe kjo çështje do të zgjidhet dhe të gjithë të punësuarit do të marrin vendimet për atë që e kryejnë.”- tha Harun Ibrahimi, zvdrejtor i RTVM.
 
8 programe radio dhe televizive në RTM, përmbushim misionin që ka servisi publik
 
Tashmë Servisi Publik emeton programet e tij në 8 programe televizive dhe po aq programe radio, në një përpjekje të vazhdueshme për rritjen e  cilësisë dhe përmbushjen e misionit të tij, informim në kohë e të paanshëm, edukim dhe zbavitje. Edhe në të ardhmen, në ekranin e TVM2 do të mund të ndiqni informacione të besueshme në kohë reale, emisione edukative për fëmijë e të rinj, seriale televizive e filma dokumentarë, emisione sportive dhe zbavitëse, duke përmbushur kështu në tërësi rolin që ka servisi publik në shoqëri e duke qenë gjithmonë në shërbim të qytetarëve. 
 
ERSAN PAJAZITI