Maqedoni
FRASH: Të ndihmohen studentët, po pësojnë nga kriza
29.04.2020 15:48
Forumi Rinor i Aleancës për Shqiptarët i tërheq vëmendjen qeverisë se po harron të përfshijë në masat e saj....

Forumi Rinor i Aleancës për Shqiptarët i tërheq vëmendjen qeverisë se po harron të përfshijë në masat e saj edhe 53,637 studentë të fakulteteve dhe shkollave të larta profesionale, familjet e një pjese të madhe të të cilëve kriza ekonomike i ka goditur keq. FRASH thotë se studentët vazhdojnë të paguajnë qiratë për banesat ku kanë qëndruar gjatë vitit edhe pse momentalisht nuk i përdorin e kjo rëndon buxhetin familjar. Gjithashtu në kohë krize vjen edhe pagesa për semestrin e radhës. Shumica e këtyre studentëve janë të papunë, prandaj kërkojmë që qeveria urgjentisht të ndërmerr masa konkrete për t’i ndihmuar ata thonë nga FRASH
"Propozojmë që qeveria t’i subvencionojë të rinjtë mbi moshën 18 vjeç me 100 euro për një muaj me qëllim të lehtësimit të gjendjes së tyre. Konsiderojmë se kjo shumë është e arsyeshme për studentët, dhe nga ana tjetër e përballueshme për qeverinë. Gjithashtu propozojmë që participimi për semestrin e ardhshëm të përgjysmohet apo të hiqet në tërësi si dhe pagesa për punë praktike në disa fakultete po ashtu të hiqet. Vlerësojmë se shteti ka për obligim të kujdeset për studentët në çdo kohë, e sidomos detyrimi tij rritet kur goditemi nga kriza si kjo në të cilën gjendemi tani."- thonë nga Forumi Rinor i Aleancës për Shqiptarët.
