Filloi sezoni i ngrohjes, qytetarët ende në dilemë
Prej sot, fillon sezoni i ngrohjes në Maqedoni........

15 tetori është data e cila tregon se sonte ngrohtoret lëshojnë nxemjen qendrore nëpër shtëpitë e shfrytëzuesve, por a është ky sezon i njëjtë me kokëçarjet e vjetra dhe sa oxhaqet e ngrohtoreve këtë dimër do t’i ngrohin vërtetë shfrytëzuesit e tyre?
Për një pjesë të madhe të qytetarëve të kryeqytetit nxemja qendrore është alternativë e pazëvendësueshme, pasi që shumica prej tyre nuk kanë opsione tjera për ta ndërruar atë. Por, fillimi i sezonit të ri të ngrohjes kthen problemet e vjetra, faturat e larta dhe radiatorët e vakët.
“Kemi nxemje qendrore, por s’mundemi me funksionu, sepse faturat janë shumë të larta. Më shumë Veriu nuk ka nxemje dhe e kanë ndalur”- tha një qyetarë.
“Faturat janë tepër të larta, kam miq që shfrytëzojnë nxemjen, disa shokë kam që nuk kanë nxemje a paguajnë dhe plus ka reduktime të nxemjes qendrore, ka një pjesë të ditës ku nuk ka nxemje”- u shpreh një qytetarë.
Ngrohtorja “Shkup-Veri”, sot në 6 të mëngjesit lëshoi zyrtarisht ngrohjen në radiatorë. Por, sot nuk ishte dita e duhur për ta testuar ngrohjen, pasi temperaturat e jashtme ishin tepër të ngrohta.
“Në rast se temperatura e jashtme është më e ulët, fillimi i ngrohjes fillon më herët, me qëllim që amvisëritë të përfitojnë nxemje adekuate, ndërsa nëse gjatë ditës temperaturat rriten si sot, ne e ndërpresim sistemin e ngrohjes”- deklaroi drejtori i Ngrohtores “Shkup –Veri”, Igor Popovski.
Edhe në ditën e parë të lëshimit të nxemjes qendrore, qytetarët ende nuk kanë vendosur se si do të ngrohen. Shumica e tyre nuk e ndërrojnë drurin me asgjë tjetër.
“Rryma është e shtrenjtë, me dru kemi më shumë llogari”- u shpreh një qytetarë.
“Me dru, për shkak se s’kemi nxemje qendrore në fshat”- tha një qytetarë.
“Si me dru si me nxemje qendrore është e njëjtë, por ne s’kemi mundur të instalojmë parno dhe kemi mbetur me dru”- theksoi një qytetarë.
Sonte duhet të bëni shumë kujdes. Kontrollojeni mirë sistemin ngrohës në shtëpitë tuaja, pasi çdo vit, në fillim të sezonit të ngrohjes, rreth 300 familje përmbyten nga uji që shpërthen nga radiatorët me instalim të keq. (Rexhep Qamili, TVM2)
