Maqedoni

Angellovska e Bekteshi: Subvencionet synojnë ruajtjen e vendeve të punës

30.04.2020 14:01

Sektorët më të prekur, hotelieria, turizmi dhe transporti, përveç 14 mijë e 500 denarëve...

Sektorët më të prekur, hotelieria, turizmi dhe transporti, përveç 14 mijë e 500 denarëve nga rregullativa për përkrahje financiare do të marrin edhe përkrahje shtesë për subvencionimin e 50% kontributeve. Këtë e bëri të ditur ministrja e financave, Nina Angellovska, sipas të cilës, qeverisë nëpërmjet dialogut me biznes-sektorin kanë gjetur zgjidhje që sa më shumë punëdhënës t’i mbajnë të punësuarit në vendet e tyre të punës dhe të jetë më e lehtë faza e rifillimit me punë.
 
“Kjo do të thotë se për këta sektorë për të gjitha kompanitë që kanë punuar pa humbje në dy vitet e kaluara dhe vlerësohen kompani të shëndosha të cilat nuk kanë borxhe në Drejtorinë e të Hyrave Publike dhe nëse këto kompani nuk kanë kredi që nuk i kanë paguar më shumë se 90 ditë para krizës, këto kompani mund t’i kombinojnë të dyja masat, të shfrytëzojnë 14500 denarë nga masa për përkrahje financiare dhe në mënyrë plotësuese të shfrytëzojnë masën për financimin e kontributeve.”,- tha ministrja e financave, Nina Angellovska.
 
Po ashtu Angellovska sqaroi se ndryshimi i dytë që ka për qëllim ruajtjen e vendeve të punës është që përkrahje financiare nuk do të mund të shfrytëzojnë kompanitë që kanë larguar 5, 10, apo 15 për qind të personave të punësuar, varësisht nga madhësia e kompanisë. Këtu përfshihen edhe të punësuarit me vendim të përkohshëm edhe ato me vendim të përhershëm.
 
Kompanitë që gjatë vitit 2020 nuk do të kenë fitim, nuk do t’i kthejnë mjetet e përkrahjes financiare. Kompanitë që do të punojnë me fitim do të duhet t’i kthejnë maksimum 50 të fitimit. Por, kompanitë që kanë punuar me fitim edhe në vitin 2019 edhe në vitin 2020 do të mund të mos i kthejnë mjetet nëse i investojnë për avancimin apo trajnimin e të punësuarve, në makineri apo pajisje. Në kohë krize masat duhet të jenë të miratuara në kohë dhe të jenë të realizueshme, theksoi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
 
“Duhet institucionet të jenë fleksibile sa u përket nevojave të sektorëve të ndryshëm për shkak se ne konsiderojmë se ky sektor është shumë i rëndësishëm për ekonominë e vendit, i cili jo vetëm ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik, njëkohësisht ka edhe impakt negativ në sektorët tjerë që e shërbejnë sektorin e turizmit në Maqedoninë e Veriut.”,- u shpreh ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
 
Shoqata e Hotelierëve: Shpresojmë sa më parë t’i hapim objektet hotelierike
 
Nga Shoqata e Hotelierëve mirëpresin masat, ndërsa shpresojnë që sa më parë të mund t’i kthehen punës.
 
“Presim që ky grup masash të aplikohet në ekonominë tonë dhe sa më parë t’i hapim objektet hotelierike. Për fat të keq, diçka e tillë nuk mund të parashihet kur mund të ndodhë, por shpresojmë kjo të ndodhë së shpejti. E njëjta ndodh edhe me restorantet. Do të përshtatemi me një jetë të re, të masave të reja, që jemi në pritje të miratohen.”,- theksoi Kosta Bllazhevski nga Shoqata e Hotelierëve.
 
Shfrytëzimi i masave ekonomike pritet të ndikojë edhe në kthimin e të punësuarve të cilët i kanë humbur vendet e punës për shkak të krizës. 
 
SEDAT SELIMI