Maqedoni

Parashikimet e BB-së, Bytyqi: Nuk do të kemi krizë të thellë ekonomike

30.04.2020 15:13

Edhe ekonomia e vendit do të preket nga efektet e pandemisë COVID-19...

Edhe ekonomia e vendit do të preket nga efektet e pandemisë COVID-19, ky është vlerësimi i Bankës Botërore, por në raportin e kësaj të fundit potencohet se në krahasim me vendet e rajonit, Maqedonia ka arritur të menaxhojë situatën ekonomike. Për këtë këshilltari ekonomik i kryeministrit, Fatmir Bytyqi, theksoi se masat e ndërmarra të qeverisë në këtë drejtim kanë qenë të menjëhershme dhe të mirëmenduara që kanë stagnuar goditjen mbi ekonominë.
 
“Banka Botërore në raportin e saj parashikon se vendet e rajonit do të përballen me recesion dhe rritja ekonomike pritet të jetë mes 3 dhe 5, 6 për qind. E rëndësishme është se ekonomia jonë nuk do të hyjë në krizë të thellë të cilës nuk mund t’i dihet se si do të rrjedhë. Masat e miratuar janë të mirëmenduara në atë mënyrë që do të jenë afatgjate dhe të njëjtat mbarë bota i mbështet.”,- tha këshilltari ekonomik në kryeministri, Fatmir Bytyqi.
 
I pyetur rreth administratës nëse do t’i shkurtohen pagat, Bytyqi theksoi se këto propozime do të shqyrtohen në pakon e tretë që do të jetë gati së shpejti.
 
“Në pakon e tretë të masave do të shohim edhe një aspekt tjetër, sa i përket shkurtimit të pagave në administratë mund të jetë në segmentin, mundësimin dhe krijimin e të ardhurave, por ne tani jemi të fokusuar në pjesën e shpenzimeve me atë se çfarë masash iu duhet për çdo qytetar, për çdo kompani më vete, pasi ata janë gjeneratorë dhe janë në sulm direkt me efektet e pandemisë.”,- theksoi këshilltari ekonomik në kryeministri, Fatmir Bytyqi.
 
Pakoja e tretë e masave për këndellje të ekonomisë që do të miratohet së shpejti do të bazohet në BPV, njoftoi Bytyqi, kurse sa i përket ruajtjes së vendeve të punës, Qeveria angazhohet maksimalisht që sektori privat të ketë gjithnjë e më pak largime nga puna. 
 
ZEKIRJA MEXHITI