Maqedoni
Kërçovë, dr. Xhabir Bajrami: Angazhohemi për të mbajtur nën kontroll situatën me pandeminë globale
30.04.2020 15:25
Kërçova akoma nuk ka asnjë të prekur nga Kovid-19....

Kërçova akoma nuk ka asnjë të prekur nga Kovid-19, por për të mbajtur nën kontroll situatën e krijuar me pandeminë globale, në Qendrën spitalore të Kërçovës janë marrë një varg masash preventive për parandalimin e virusit Korona.
Dr. Xhabir Bajrami, drejtor në Shtëpinë e Shëndetit në Kërçovë, në një prononcim për programin tonë, thotë se falë mobilizimit qytetar dhe angazhimit konkret të institucioneve shëndetësore dhe trupit koordinues lokal, në Kërçovë dhe rrethinë deri më tani nuk ka të asnjë banor rezident të prekur nga Kovid-19.
“Qendra spitalore e Kërçovës në bashkëpunim me shtabin komunal të krizës, ka marrë masa konkrete për tejkalimin e kësaj situate. Në shërbim të pacientëve tani janë vendosur çadra dhe baraka ku bëhen kontrolle dhe merren tampone nga pacientët e dyshuar.”,- nënvizon Bajrami.
Drejtori Bajrami njofton se në funksion të preventivës kundër virusit Korona dhe falë kontributit të drejtorit të Byrosë për Zhvillim Rajonal, Ramiz Rexhepi, në hapësirat e Qendrës spitalore të Kërçovës do të ngrihen edhe tri objekte mobile shëndetësore, që do të jenë në funksion të luftës kundër pandemisë globale.
SHABAN DALIPI
