Maqedoni
Gostivar, paralajmërohet hapja e kafeneve dhe restoranteve
30.04.2020 15:52
Një grua 59 vjeçare nga Gostivari ka ndërruar jetë mbrëmë....

Një grua 59 vjeçare nga Gostivari ka ndërruar jetë mbrëmë si pasojë e komplikimeve nga virusi Korona. Gruaja një kohë të gjatë ka vuajtur nga karcinomi, ndërsa para dy ditësh është hospitalizuar për shkak të gjendjes së përkeqësuar. Raste të reja të personave të infektuar nuk janë regjistruar, ndërsa aktualisht ka tre raste aktive.
Ndërkohë, pas një muaji e gjysmë të mbyllura, ditën e nesërme në Gostivar pritet të rihapen kafenetë dhe restorantet. Ata nuk do të pranojnë konsumatorë në hapësirat e tyre, por do të ofrojnë kafe përmes sportelit, të cilën blerësit do ta marrin me vete. Bashkë me kafenetë do të hapen edhe restorantet, të cilat po ashtu do të duhet të ofrojnë shërbimet e tyre përmes sportelit ose dërgesave deri në shtëpi. Informacionin e bëri të ditur kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari, i cili sqaroi se kafenetë dhe restorantet do të mund të qëndrojnë hapur derisa nuk ka kufizim të lëvizjes. Hapja e kafeneve vjen disa ditë pas rihapjes së tregut të madh të qytetit i cili qëndroi pesë javë i mbyllur.
Ndërkohë, Muftinia e Gostivarit ka shpërndarë 300 pako ushqimore për familjet nevojtare. Paratë për përgatitjen e pakove janë siguruar nga ulja e rrogave të imamëve dhe nëpunësve tjerë fetarë në territorin e Gostivarit. Ata, për shkak të thellimit të krizës ekonomike nga pandemia, ulën pagat e tyre nga 15 deri 20%, kurse muftiu i Gostivarit uli pagën e tij për 30%.
LULZIM HAZIRI
