Kumanovë – COVID-19, 74 të shëruar, 5 të infektuar dhe 2 të vdekur

30.04.2020 16:46

Numër rekord i të shëruarve nga virusi COVID-19 janë regjistruar në Kumanovë....

Numër rekord i të shëruarve nga virusi COVID-19 janë regjistruar në Kumanovë gjatë 24 orëve të fundit, gjithsej 74, duke e çuar në total në 182 numrin e tashmë të shëruarve në rajonin e Kumanovës.

Janë regjistruar edhe 5 raste të reja me COVID-19, duke e çuar në total në 389 numrin e të prekurve nga ky virus. Raportohet edhe për dy viktima, për të cilët njoftuam edhe në lajmet e mbrëmshme.

Bëhet fjalë për dy persona nga rrethi i Kumanovës të moshës 72 dhe 79 vjeç.

Numri gjithnjë e më i vogël i të infektuarve dhe numri gjithnjë e më i madh i të shëruarve dëshmon për respektim të lartë të masave të autoriteteve shëndetësore dhe qeveritare, duke dhënë shpresë se Kumanova, si njëra ndër vatrat më të mëdha të virusit COVID-19 në Republikën e Maqedonisë së Veriut, së shpejti do të kthehet në normalitet, duke mos lënë hapësirë të zgjerimit të mëtejmë të virusit Korona.

Në një kumtesë nga Gjyqi Themelor në Kumanovës njoftohet se nga 1 e deri më 30 prill janë shqiptuar, madje 70 aktgjykime për vepra penale “Mosveprim sipas rregullave shëndetësore në kohë pandemie” në bazë të nenit 206, Alinea 1. Siç njoftojnë nga Gjyqi Themelor në Kumanovë, veprat i kanë bërë duke mos i respektuar vendimet e Qeverisë në drejtim të pengimit të zgjerimit të virusit COVID-19.

Ndryshe, kreu i Kumanovës, Maksim Dimitrievski, në statusin e tij në Facebook, ka shkruar “Dëshiroj ta informoj opinionin se sapo e mora rezultatin nga testimi i dytë i cili fatmirësisht ka rezultuar negativ. Mirëpo edhe njëherë e ftoj drejtoreshën e Inspektoratit Shëndetësor dhe Sanitar dhe Ministrinë e Shëndetësisë të ma sjellë në shqyrtim raportin mua dhe opinionit të gjerë, sepse nuk bëhet fjalë për dokument sekret. Procedura do të dëshmojë se nuk ka bazë për vepër penale. Por, fushata institucionale që po bëhet kundër meje  dhe Shtabit Komunal për Mbrojtje deri në këto momente është e pakuptueshme”. (Fatlum Aqifi, TVM2)