LSDM: Zgjedhjet e ardhshme do të mbahen me maska

30.04.2020 17:02

Procesi zgjedhor, me maska dhe doreza...

Procesi zgjedhor, me maska dhe doreza. Këtë e paralajmëroi sekretari gjeneral i LSDM-së, Ljuço Nikollovski, duke u përgjigjur në pyetjen se si do të organizohen zgjedhjet parlamentare, pas përfundimit të epidemisë së virusit Korona.

Sipas Nikollovskit, me faktin që ulet numri i të infektuarve domosdoshmërisht imponohet çështja e zgjedhjeve, por gjatë votimit qytetarët do të dalin me pajisje mbrojtëse dhe do t’i shmangin tubimet masive.  

“Fakt është se maskat dhe distanca mbeten përditshmëri për të gjitha aktivitetet tona. Kjo do të thotë se edhe në kontekstin e procesit zgjedhor që imponohet pas trajtimit të koronavirusit, d.m.th. maska dhe mbajtja e distancës, si dhe protokollet e tjera mjekësore do të jenë pjesë e procesit zgjedhor.”,- tha sekretari gjeneral i LSDM-së, Lupço Nikollovski.

VMRO-DPMNE: Nuk mendojmë për zgjedhjet në kohë krize

Deri sa LSDM paralajmëron zgjedhje me maska dhe doreza, nga VMRO-DPMNE thonë se nuk mendojnë aspak për zgjedhje në kohë të krizës shëndetësore.                                                                                          

"VMRO-DPMNE nuk mendon kurrë për zgjedhjet në kohë të  krizës shëndetësore, në një kohë kur ne i numërojmë të vdekurit nga virusi Korona çdo ditë, pra në një kohë kur Republika e Maqedonisë ka një nga nivelet më të larta të vdekshmërisë. LSDM dëshiron të organizojë zgjedhjet me çdo kusht, siç e shihni, ka një ryshfet masiv nga strukturat e tyre dhe njerëzit afër familjes Zaev, me qëllim të gjuajtjes në errësirë.",- tha Dimçe Arsovski nga VMRO-DPMNE.                                                               

Socialdemokratët po ashtu kanë dallime me VMRO-në, por edhe me partnerin e koalicionit BDI-në edhe për riaktivizimin e kuvendit.

Nga LSDM ende janë në pritje të përgjigjes me shkrim nga ana e kryeparlamentarit, Talat Xhaferi, për arsyet e mosriaktivizimit të kuvendit. Këtë çështje javën e ardhshme do ta ketë në rend dite Gjykata Kushtetuese, e cila pritet të shqyrtojë kërkesën për vlerësimin e vendimit për shpërndarjen e Kuvendit.

Në arsyetimin e nismës thuhet se tashmë qëllimi për të cilin u shpërnda Kuvendi nuk është realizuar dhe të gjitha afatet e zgjedhjeve janë shkelur, duke përfshirë edhe vetë datën e zgjedhjeve, që duhet të ishte 12 prilli.

Kohë më parë Gjykata Kushtetuese pati vlerësuar se nisma për vlerësimin e kushtetutshmërisë së shpërndarjes së Kuvendit më 16 shkurt të këtij viti nuk kishte bazë për vlerësim. (Sanije Duraku, TVM2)