Covid-19 në RMV, 111 janë kuruar, 23 pozitivë dhe 4 kanë humbur jetën

30.04.2020 17:16

Për herë të parë që nga paraqitja e virusit Korona...

Për herë të parë që nga paraqitja e virusit Korona, numri i të shëruarve në vend është më i madh se sa i të sëmurëve. Në 24 orët e fundit janë regjistruar 111 të shëruar, 23 të infektuar dhe katër persona kanë humbur jetën.

Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, deklaroi se numri i personave të diagnostikuar me Covid-19 në vend arrin në 1465, prej të cilëve 650 raste janë aktivë, ndërsa numri i përgjithshëm i personave që kanë humbur betejën me Covid-19 shkon në 77.                                                                                                                         

“Në Klinikën Infektive në Shkup ka ndërruar jetë një 62 vjeçar, ka qenë i operuar nga kërcënomi para 10 viteve, nga Shkupi. Në Spitalin “8 shtatori” ka ndërruar jetë një 59 vjeçare nga Gostivari e operuar nga stomaku si sëmundje abdomen akut që ka rezultuar pozitiv me Covid-19. Në raportin e sotëm të ISHP-së janë evidentuar edhe dy raste të vdekjes si pasojë e Covid-19 në rrethinën e Kumanovës, respektivisht bëhet fjalë për persona të moshës 72 nga Opaja dhe 79 vjeçe nga Kojnarja e epërme.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, tha se dy pacientëve të cilët janë në mënyrë kovalente në fazën e mbartjes së antitrupave kundër virusit Korona gjatë ditës së sotme për herë të parë u është marrë plazmë gjaku për të trajtuar pacientët tjerë.                                                                                                 

“Ditëve në vijim, ashtu si terapia me ozon që po aplikohet në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori”, plazma e gjakut do të aplikohet për pacientët për të cilët ekspertët do të vlerësojnë se është e përshtatshme.”,- u shpreh ministri i shëndetësisë,  Venko Filipçe.

Filipçe njëherit informoi se Komisioni për Sëmundje Ngjitëse ka përgatitur protokollet për kthim gradual të vendit në normalitet dhe se të njëjtat do të prezantohen gjatë javës së ardhshme.

Po ashtu ka nisur zbatimi i dekretit për mbajtje të detyrueshme të maskës, shallit apo facoletës për të mbuluar gojën dhe hundën, si masë mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së Covid-19. Sipas dekretit të miratuar nga Qeveria, secili qytetar që në ambiente të mbyllura nuk mban pajisje për mbrojtje personale, siç janë maskat, shalli ose facoleta do të dënohet me nga 20 euro, ndërsa kompanitë që nuk do të respektojnë masat për mbrojtje personale do të dënohen deri më 2 000 euro. (Rejhane Bushi Metaj, TVM2)