Presidenti i Kosovës mandatoi Abdullah Hotin për kryeministër
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mandatuar edhe zyrtarisht Avdullah Hotin...

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mandatuar edhe zyrtarisht Avdullah Hotin nga LDK për ta formuar Qeverinë e re të Kosovës.
Duke njoftuar mandatimin e Hotit, Thaçi tha se askush nuk duhet të pretendojë se mund ta marrë ose ta mbajë pushtetin në mënyrë jodemokratike.
Presidenti Thaçi sqaroi se kreu i LDK-së, Isa Mustafa, paraprakisht i ka dëshmuar se e ka përkrahjen e shumicës parlamentare për ta formuar Qeverinë e re.
“Ju informoj se sapo kam dekretuar zotin Avdullah Hoti si të nominuar për kryeministër të ri të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Në ditët në vijim mund një tjetër Qeveri e re të votohet në Kuvendin e Kosovës, sërish në përputhje të plot me Kushtetutën e Kosovës dhe me rendin demokratik të republikës sonë, duke marrë parasysh legjitimitetin e qartë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe nga zotimi që u dëshmua sot i shumicës së re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit.”,- tha presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Vetëvendosje dekretin e Thaçit e dërgoi në Kushtetuese
Pa humbur kohë, shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, dhe nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci, e kanë dërguar në Gjykatë Kushtetuese dekretin e presidentit, Hashim Thaçi, për ta mandatuar Avdullah Hotin për kryeministër.
Me këto veprime presidenti po vazhdon ta shkelë Kushtetutën, vlerësojnë nga Vetëvendosje.
“Pra me këtë dekret ne vlerësojmë se presidenti ka vazhduar ta shkelë kushtetutën. Jorastësisht në këtë kohë kur po përfundon java e punës, presidenti është kujdesur bashkë me bashkëpunëtorët e tij që Gjykatën Kushtetuese dhe Administratën ta gjejë në pushim. Ata po mundohen të shfrytëzojnë këto ditë pushimi. Bashkë me z. Arbërie do të dëshmojmë se nuk do të ndalemi së mbrojturi Kushtetutën.”,- theksoi Rexhep Selimi nga VV.
Deri te nominimi i Avdulla Hotit për kryeministër erdhi pasi LDK ngriti mocionin e mesbesimit ndaj qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, i cili u miratua në Kuvend. Por, Vetëvendosje pretendon se bazuar në Kushtetutën e Kosovës, përsëri mandatari i takon kësaj partie, e cila doli fituese në zgjedhje, ndërsa LDK ishte parti e dytë. (Gyltene Sinani, TVM2)
