Shqipëri, ulet dukshëm numri i të prekurve me Covid-19
Pëson rënie drastike numri i të prekurve me Covid-19....

Pëson rënie drastike numri i të prekurve me Covid-19 gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, numri i rasteve të reja është 7, gjysma e rasteve të një dite më parë. Ndërkohë, mbrëmjen e së mërkurës është regjistruar një tjetër viktimë nga koronavirusi, duke e çuar numrin total në 31.
“Nga rezultatet e testimeve në 24 orët e fundit janë konfirmuar 7 raste pozitive me COVID-19, nga të cilat 3 raste janë në Krujë, 2 raste në Tiranë dhe 2 raste në Shkodër. Gjatë 24 orëve të fundit, 15 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar totalin e të shëruarve nga COVID-19 në 470. Deri tani 31 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje, me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor.”,- tha dr. Marjeta Dervishi nga Instituti i Shëndetit Publik.
Numri i të shëruarve ndërkohë ka arritur në 470, duke bërë që vetëm 272 persona të jenë pacientë aktivë. Aktualisht në dy spitalet “Covid” janë 36 të shtruar, 7 prej të cilëve në terapi intensive. (Luljeta Ndoka, TVM2)
