UEFA nis hetime disiplinore, sanksione të rënda

15.10.2014 17:29

Serbia dhe Shqipëria priten të përballen me sanksione të rënda nga UEFA, teksa institucioni më i lartë i futbollit europian ka hapur hetime mbi skenat e jashtëzakonshme, që ndodhën në fushën e lojës gjatë takimit eliminator......

Perballja në Beograd u braktis pas kaosit, për shkak të një minihelikopteri të telekomanduar, i cili shfaqi një flamur të Shqipërisë së Madhe në fushën e lojës, duke nxitur kështu një përleshje të madhe mes lojtarëve dhe dhjetra tifozëve.

Gjyqtari Martin Atkinson urdhëroi menjëherë lojtarët të dilnin nga fusha, pas incidentit, i cili ndodhi në fund të pjesës së parë (pas minutës së 41).

Ata u drejtuan për në tunelin e dhomave të zhveshjes, por sërish u sulmuan me sende të forta, e megjithatë, pas rikthimit të rendit, lojtarët e Shqipërisë refuzuan të ktheheshin në fushë, duke mos lënë asnjë alternativë veç pezullimit të ndeshjes.

UEFA ka nisur hetimet disiplinore ndaj kësaj çështjeje, teksa Presidenti i UEFA-s, Michel Platini, kritikoi gjithçka ka ndodhur.

“Futbolli supozohet t’i bashkojë njerëzit dhe loja jonë nuk duhet ngatërruar me politikat e çfarëdolloji. Skenat në Beograd, natën e kaluar, ishin të pafalshme”, thotë Platini, ndërkohë që shefi i FIFA-s, Sepp Blatter, shton edhe më tej dënimin.

“Do të nisin hetime disiplinore për të dyja Federatat, duke nisur nga mëngjesi i sotëm”, thotë zëdhënësi i UEFA-s.

Serbia pritet të dënohet me të paktën 1 prej ndeshjeve të ardhshme me dyer të mbyllura, ndërsa Shqipëria mund të përballet me sanksione për pjesëmarrje dhe shkaktare e problemeve. (Denis Shabani, TVM2)