Maqedoni
Kumanovë, 36 të shëruar dhe vetëm 4 të infektuar
01.05.2020 16:01
Në Kumanovë po vazhdon trendi i rritjes së numrit të të shëruarve përballë atyre të infektuar...

Gjatë 24 orëve të fundit gati 10 herë më tepër ka të shëruar se sa të infektuar. Në të vërtetë janë regjistruar 36 të shëruar duke e çuar në total 218 numrin e të shëruarve, kurse janë regjistruar vetëm 4 raste të reja të infektuar. Janë këto të dhëna që gati çdo ditë e më tepër ngjallin shpresën se Kumanova dal nga dal por sigurt do të dal nga vatra me numër më të madh të të prekurish.Kanë vazhduar edhe aktivitete të ndryshme të bamirësisë, si nga shoqata e organizata të ndryshme bamirëse, poashtu edhe nga Shtabi komunal për mbrojtje dhe shpëtim në bashkëpunim me Kryqin e Kuq komunal.
Gjithashtu edhe kompania e njohur Ecolog nga Tetova ka ndarë 100 tabletë për Komunën e Kumanovës dhe 30 për atë të Likovës, të cilat do t’u ndahen nxënësve të cilët kanë nevojë, për përcjelljen e mësimit onlain. Ndonëse ditë feste, megjithatë ekipet e Ndërmarrjes publike "Pastrim dhe gjelbërim", kanë vazhduar me aktivitetet për parandalimin e zgjerimit të virusit COVID 19, përmes dezinfektimit. Kryesisht u dezinfektuan rrugë e rrugica në qytet por edhe në lagjet e Kumanovës.
