Maqedoni

Covid-19, 4 viktima, 29 raste të reja, 69 pacientë të shëruar

01.05.2020 16:22

Është rritur në 81 numri i përgjithshëm i personave që kanë humbur betejën me virusin Korona në vendin tonë....

Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë nga Covid-19 janë regjistruar për fat të keq 4 viktima të reja. Në Klinikën Infektive në Shkup kanë ndërruar jetë dy pacientë nga Prilepi, paciente në moshën 55 vjeçe, e cila ishte pranuar në spital me 24 prill dhe një pacient 84 vjeç që ishte pranuar në spital me 27 prill. ISHP ka regjistruar edhe një rast të vdekjes në Prilep tek një paciente në moshën 69 vjeçe e cila ka ndërruar jetë në shtëpi. Në spitalin “8 shtatori” ka ndërruar jetë një 62 vjeçar nga fshati Zrnovc i Koçanit, i cili në spital ishte pranuar me 21 prill.
 
Janë regjistruar edhe 29 persona Covid pozitivë, nga  362 persona të testuar. 11 raste janë paraqitur në Shkup, 4 në Kumanovë, 2 në Tetovë, 3 në Prilep, 3 në Koçan. Me statistikat e fundit, numri i personave të diagnostikuar me Covid-19 në vendin tonë shkon në 1494, prej të cilëve 606 raste janë aktive.
 
Ka edhe lajme të mira, është rritur në 807 numri të shëruarve pasi 69 pacient janë shëruar brenda 24 orëve. 18 të shëruar janë  nga Shkupi, 36 nga Kumanova, nga një në Dibër, Shtip dhe Gjevgjeli si dhe 10 pacientë në Shtip. Qeveria ndërkohë ka siguruar 50 aparate për frymëmarrje përmes huamarrjes nga Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH), e cila i ka siguruar aparatet nga UNDP me çmime të volitshme. Dhjetë aparate do të vijnë deri më 5 qershor, ndërsa pjesa tjetër deri në fund të muajit. Nga Bashkimi Evropian kemi siguruar gjithsej 70 respiratorë, dhe vlerësimi i Ministrisë së Shëndetësisë është se për momentin vendi ka sasi të mjaftueshme të respiratorëve për të siguruar nevojat e pacientëve.
 
FLUTRA LATIFI