Zgjedhjet parlamentare, Osmani: Jemi të fokusuar në pandeminë; Donacionet në Strumicë, Stoillkovski: Rryshfet masiv për zgjedhje; LSDM: Çulev na kthen kah regjimi
Zgjedhjet në një kohë pandemie, nuk janë në fokusin e BDI-së...

Zëvendës kryeministri për çështje evropiane Bujar Osmani tha se në axhendën e tyre është zgjidhja e krizës me virusin korona si dhe ndihmesa sicio ekonomike e qytetarëve. Për zgjedhje të vendosë komisioni i sëmundjeve ngjitëse, tha Osmani.
“Zgjedhjet nuk janë aspak temë e axhendës së BDI-së. Ne kemi dy qëllime kryesore: kriza shëndetësore me pandeminë dhe pasojat socio – ekonomike që krijohen. Gjithçka tjetër që po imponohet si temë, konsiderojmë se është defokusim i institucioneve dhe energjisë politike dhe shoqërore në zgjidhjen e këtyre dy problemeve: shëndetësore dhe socio ekonomike. Qëndrimi ynë është se vendimin për zgjedhje do ta marrë komisioni i sëmundjeve ngjitëse dhe jo partitë politike”, u shpreh zëvendës kryeministri për çështje evropiane Bujar Osmani.
Ndërkohë nga VMRO-DPMNE kanë akuzuar Zoran Zaevin dhe LSDM-në se po përgatit terrenin parazgjedhor nëpërmjet rryshfetit masiv në Strumicë.
Sipas partisë së Mickovskit nuk bëhet fjalë për donacione por aksion masiv elektoral.
“As që bëhet fjalë për donacione humanitare, por për rryshfet për qëllime elektorale, i paketuar dhe shpërndarë në kohë të jashtzakonshme të pandemisë. Në orë policore, kur të gjithë qytetarët druanin për shëndetin e tyre dhe vendet e punës, policia arreston të afërmit e Zaevit se si shkelin orën policore, lëvizin pa leje, përgatisin paketime me ngjyra të partisë dhe të grupuar përgatiten për ti shpërndarë ato. Qytetarët nuk kanë nevojë për pako me afat të kaluar, por për punë”, theksoi zëdhënës i VMRO – DPMNE-së, Naum Stoillkovski.
Nga LSDM këmbëngulin se bëhet fjalë për aksion humanitar, ndërkaq aksioni policor, sipas tyre, flet për kthim të regjimit 11 vjeçar të VMRO-DPMNE-së.
“Edhe në kohë krize, VMRO-DPMNE dhe Hristijan Mickovski shikojnë si të mos ndihmojë qytetarët. Ata s’dijnë për ndihmë, por dijnë si paratë të përfundojnë në oborrin e bardhë. Qytetarët mund të rikujtojnë regjimin e VMRO-DPMNE-së, tani të zbatuar nga Mickovski”, thonë nga LSDM.
Socialdemokratët ftuan Mickovskin që të heq dorë nga financimi i partisë me para të shtetit dhe të ndihmohet kriza me pandeminë.
MERAL ISMAILI
