Botë

ShBA, lejohet përdorimi i ilaçit remdesivir për Kovid 19

02.05.2020 12:45

Rregullatorët amerikanë do të lejojnë me një procedurë urgjente autorizimin e përdorimit të ilaçit eksperimental...

Rregullatorët amerikanë do të lejojnë me një procedurë urgjente autorizimin e përdorimit të ilaçit eksperimental, remdesivir, që duket se ndihmon disa nga pacientët me virusin Korona të shërohen më shpejt.     

Agjencia amerikane e Ushqimit dhe Barnave, FDA, e dha autorizimin të premten, pasi rezultatet paraprake të një studimi të ekspertëve, kërkuar nga qeveria, treguan se remdesiviri e përshpejtoi me 31 për qind rimëkëmbjen për pacientët me COVID-19 të shtruar në spital.

Presidenti, Donald Trump, e publikoi lajmin të premten në Shtëpinë e Bardhë, së bashku me kreun e agjencisë, Stephen Hahn. Ilaçi mund edhe të pakësojë numrin e vdekjeve, megjithëse nuk është e sigurt nga rezultatet e pjesshme që kanë dalë deri tani. Kompania farmaceutike “Gilead Sciences”, ka thënë se do të dhurojë rezervat aktuale të ilaçit dhe po zgjeron prodhimin e sasive të tjera.

Studimi me 1 mijë e 63 pacientë është më i gjeri dhe më rigorozi i ilaçit, dhe përfshiu një grup pacientësh që morën kujdesin e zakonshëm, për të krahasuar efektin. Ata që përdorën remdesivir, ishin në gjendje të dilnin nga spitali pas 11 ditësh, krahasuar me mesataren prej 15 ditësh të grupit tjetër.

Eksperti kryesor amerikan për sëmundjet infektive, doktor Antony Fauçi, tha se ilaçi do të vendoste një standard të ri mjekimi për të sëmurët rëndë me COVID-19.

Ilaçi nuk është testuar ende tek pacientë me simptoma më të lehta dhe aktualisht jepet me serum në spital. Ndryshe, numri i të infektuarve në të gjithë botën deri më tani arriti në 3 milion e 401 mijë e 394 persona, 235 mijë e 615 prej të cilëve kanë vdekur, ndërsa 1 milion e 83 mijë e 816 persona janë shëruar.

SHBA, prin me numrin më të madh të personave të infektuar, me një milion e 131 mijë e 492 pacientë, Spanja me 242 mijë e 988 raste, Italia me 207 mijë e 428, Britania me 177 mijë e 454, Franca me 167 mijë e 346, Gjermania me 164 mijë e 77, Turqia me 122 mijë e 392, Rusia me 114 mijë e 431, Irani me 95 mijë e 646 raste dhe Kina, prej ku besohet se virusi ka origjinën, janë konfirmuar 82 mijë e 875 raste.