Gjykata Kushtetuese e Kosovës pezulloi dekretin për Hotin kryeministër
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka pezulluar dekretin e presidentit, Hashim Thaçi, për mandatarin e Avdullah Hotit për kryeministër të ri...

Gjykata Kushtetuese, pasi shqyrtoi kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje, vendosi masë të përkohshme deri më 29 maj, duke pezulluar deri në një vendim të plotë dekretin e presidentit, Hashim Thaçi, për të mandatuar Avdullah Hotin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër.
LDK kishte dorëzuar në Kuvend kërkesën për seancë të jashtëzakonshme për formimin e Qeverisë së re, që pritej të mbahej sot, por pas pezullimit të dekretit, seanca është anuluar.
Deri më 29 maj, pritet që kushtetuesja të vendosë nëse presidenti ka të drejtë të mandatojë një kandidat të partisë tjetër, apo kjo e drejtë i takon vetëm partisë së parë që ka dalë në zgjedhje, në këtë rast Vetëvendosjes.
