Analistët: Futbolli rizgjoi urrejtjen ndëretnike
Incidentet sportive vazhdojnë të ndikojnë jo vetëm në media, por në të gjithë shoqërinë dhe kjo është për të ardhur keq.........

Kështu deklaron Xhabir Deralla nga Organizata Joqeveritare “Civil”, duke komentuar incidentet e ndodhura mbrëmë në Beograd në ndeshjen Serbi-Shqipëri. Sipas tij, incidentet e tilla të filluara në një fushë sporti mund të kenë reflektim edhe në vendet fqinje.
“Çështja nuk është se si ky incident në stadiumin e Beogradit do të ndikojë, por si erdhi deri tek ajo që të ketë incidente të këtilla, të cilat mund të jenë në mënyrë plotësuese me ndikim të dëmshëm për marrëdhëniet ndërshtetërore, por edhe për ato ndëretnike të një vendi në Ballkanin Perëndimor. Gjithsesi se Maqedonia nuk do të mbetet e rrethuar nga ndikimet e këtilla dhe ky nuk është as incidenti i parë dhe as i fundit në këtë domen, por është për të ardhur keq që në sport ndodhin punë të këtilla, si pasojë e veprimeve të elitave politike në terren”- deklaroi Xhabir Deralla nga Organizata Joqeveritare “Civil”.
Deralla thotë që është me rëndësi të dihet se atë që e deklarojnë elitat politike të disa vendeve të caktuara në Ballkanin Perëndimor, aspak nuk korrespondojnë me atë se si ata me të vërtetë sillen në terren.
“Shoqëritë, por edhe elitat politike në Ballkanin Perëndimor nuk janë të përgatitur për integrime ashtu siç e deklarojnë atë kur vjen ndonjë delegacion i huaj në regjion. Kjo do të thotë se jo vetëm sporti, por edhe segmentet tjera të jetesës shoqërore, kultura, arsimi, segmente tjera të ndryshme të këmbimit të përmbajtjeve të ndryshme mes shteteve nuk mund të nisin në drejtim të vërtetë, në drejtim të hapur, i cili është i duhur për një traditë evropiane, ose për një trend evropian të integrimit sa më të madh të mundur, për shkak se nuk ekzistojnë praktika të tilla. Antagonizmi është tepër i fuqishëm dhe çdo rast më i vogël mund të ndikojë negativisht në këto trende”- tha Deralla.
Ajo që ndodhi dje në Beograd, gjithsesi edhe një herë tregoi se Ballkani ende nuk është shëruar nga plagët e vetëm pak viteve më parë. (Mefail Ismaili, TVM2)
