Maqedoni

Derkovski: Të krijohen kushte për zgjedhje legjitime. Të parashihet edhe ardhja e vëzhguesve

02.05.2020 15:47

Pas paralajmërimeve se gjendja me virusin Korona po shkon drejt zbutjes...

Pas paralajmërimeve se gjendja me virusin Korona po shkon drejt zbutjes, partitë politike janë gjithnjë e më të zëshme për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në vend.

Por, kreu i KShZ-së, Oliver Derkovski, thotë se gjatë vendimit për mbajtjen e zgjedhjeve, partitë politike duhet të mbajnë llogari për kushtet e mbajtjes së një procesi legjitim zgjedhor, thotë kreu i KSHZ-së, Oliver Derkovski.

Ai po ashtu thotë se para së gjithash duhet të mbahet llogari për shëndetin e njerëzve.

“Duhet mbajtur kujdes për shëndetin e njerëzve, sepse edhe pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme, shteti ende do të ishte në krizë të pandemisë, që do të thotë se ende do të vlejnë disa masa që do të parasheh Komisioni për Mbrojtje Shëndetësore. Po ashtu ende do të mbretërojë një psikologji e rënduar te qytetarët për mbrojtjen e shëndetit të tyre, prandaj në kushte të këtilla duhet të gjendet termini i vërtetë për mbajtjen e zgjedhjeve.”,- tha kryetari i KShZ-së, Oliver Derkovski.

Derkovski po ashtu theksoi se duhet mbajtur llogari edhe për mundësinë e arritjes së misioneve të huaja vëzhguese, të cilat zakonisht i vëzhgojnë proceset zgjedhore në vend.

“Duhet të mundësohen kushte si për vëzhguesit vendorë ashtu edhe vëzhguesit e huaj, misionet e ndryshme që dëshirojnë ta vëzhgojnë procesin, të mund të jenë të pranishëm, ndërsa marrë parasysh se ka ndalesa të shumë shteteve për udhëtim, duhet të mbahet llogari për periudhën e mbajtjes së zgjedhjeve që t’u mundësohet këtyre misioneve të arrijnë në vendin tonë.”,- tha kryetari i KShZ-së, Oliver Derkovski.

Nëse mbahet llogari për këto çështje, KShZ do të mundësonte organizimin e zgjedhjeve të vërteta demokratike të cilat nuk do të delegjitimoheshin nga askush dhe nga asnjëra nga palët.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në vend ishin caktuar për 12 prill, por ato u anuluan për shkak të pandemisë me virusin Korona.

Kjo çështje pritet të diskutohet në takimin e liderëve të paralajmëruar të mbahet gjatë javës së dytë të këtij muaji.

GYLTENE SINANI