Sllupçan, 2 maji u shënua me homazhe tek varrezat e dëshmorëve
Për herë të parë pas 19 vitesh, 2 maji - dita kur para 19 vitesh komuna e Likovës u shpall zonë e lirë...

Për herë të parë pas 19 vitesh, 2 maji - dita kur para 19 vitesh komuna e Likovës u shpall zonë e lirë dhe shënoi fillimin e konfliktit të armatosur mes ish Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe Forcave Maqedonase të Sigurisë, u shënua vetëm me homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Sllupçan, e jo sikurse çdo vit me tubimin e madh tradicional gjithëpopullor.
Kjo për arsye të pandemisë së virusit Korona, që ka pamundësuar mbajtjen e eventeve të ndryshme jo vetëm tek ne por në mbarë botën.
Në shënimin e 2 majit, kur shënohet edhe Dita e komunës së Likovës, për t’i nderuar dëshmorët e rënë në altarin e lirisë gjatë luftës së vitit 2001, erdhën familjarë, invalidë të luftës e bashkëluftëtar.
Duke e përkujtuar 2 majin e vitit 2001, Berat Ajdari - kryetar i SHVL-UÇK dega për Kumanovë e Likovë, ndër të tjera tha:
“Sot, 2 maj 2020, bëhen 19 vjet nga dita e krenarisë e 2 majit 2001, ditë në të cilën u derdh gjak për liri. E kemi obligim që me çdo 2 maj t’u bëjmë homazhe dhe t’i nderojmë dëshmorët e kombit”.
Ndërkaq, kreu i komunës së Likovës, Erkan Arifi, sqaroi se rrethanat me pandeminë bënë që 2 maji i sivjetmë të shënohet vetëm me homazhe, në nderim të dëshmorëve të rënë në altarin e lirisë.
“Ky 2 maj na gjen në këtë gjendje të jashtëzakonshme në shtet, bashkërisht me Shtabin për Mbrojtje dhe Shpëtim të komunës tonë, vendosëm që vetëm të bëjmë homazhe në shenjë respekti, nderi për dëshmorët, familjet e tyre, invalidët e luftës dhe të gjithë ish ushtarët e UÇK-së.”,- tha kryetari i komunës së Likovës, Erkan Arifi.
Të përkujtojmë se lufta e vitit 2001 rrënjësisht ndryshoi pozitën e shqiptarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, andaj edhe llogaritet si ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar.
FATLUM AQIFI
