Bota me mbi 3 milion e 400 mijë të infektuar. Në shumë vende filluan masat lehtësuese
Numri i të infektuarve me virusin Korona në të gjithë botën ka arritur në 3 milion e 401 mijë e 394 persona...

Numri i të infektuarve me virusin Korona në të gjithë botën ka arritur në 3 milion e 401 mijë e 394 persona, një milion e 83 mijë e 816 persona janë shëruar, ndërsa 235 mijë e 615 kanë vdekur.
SHBA prin me numrin më të madh të personave të infektuar, me një milion e 131 mijë e 492 pacientë. Ndërsa presidenti amerikan, Trump, shpreson se numri i të vdekurve do të jetë nën 100 mijë.
“Shpresoj se numri i humbjeve do të jetë nën 100 mijë, që është i tmerrshëm. Kjo mund të pengohej, duhej të ndërpritet në burim, por nuk ndodhi.”,- tha presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.
Sa u përket akuzave të presidenti amerikan të drejtuara OBSH-së, kjo e fundit mohon të jetë vonuar për të vepruar kundër pandemisë.
Po ashtu presidenti, Donald Trump, e publikoi lajmin se rregullatorët amerikanë do të lejojnë me një procedurë urgjente autorizimin e përdorimit të ilaçit eksperimental, remdesivir, që duket se ndihmon disa nga pacientë me virusin Korona të shërohen më shpejt. Ilaçi mund edhe të pakësojë numrin e vdekjeve, megjithëse nuk është e sigurt nga rezultatet e pjesshme që kanë dalë deri tani.
Ndërsa në kuadër të masave lehtësuese, në Teksas të SHBA-ve u hapën plazhet e njohura në Galveston, por me rekomandimin që të mos ketë grumbullim të më shumë se 10 personave në distancë prej 6 metrash, ndërsa një pjesë e madhe e vizitorëve ishin me maska mbrojtëse.
“Është e mrekullueshme të jesh jashtë shtëpisë dhe të vish në Galveston, plazhi është shumë i mirë.”,- theksoi një qytetar.
“Më me rëndësi është se do të mund të dalim nga shtëpitë tona.”,- u shpreh një qytetar.
Spanja është vendi evropian me më shumë të infektuar, 242 mijë e 988 persona. Por, të gëzuar për lehtësimin e masave, spanjollët mbushën rrugët, pasi në kuadër të masave parandaluese për mospërhapjen e virusit qëndruan të mbyllur për 49 ditë.
Sheshet dhe bregdetet në Spanjë janë mbushur me shëtitës, derisa nuk mungonin çiklistët dhe vrapuesit, që kishin pritur me padurim që të kryenin sportet e tyre të preferuara.
Dalja lejohet vetëm për katër orë paradite dhe në mbrëmje mund të dilet prej orës 20:00 deri në orën 22:00.
Lehtësimi i masave është bërë me kërkesë të shumë organizatave që merren me shëndetin mendor, të cilët kanë vlerësuar se izolimi mund të jetë shumë i rëndë për banorët.
Italia me 207 mijë e 428 të infektuar nga 4 maji ka paralajmëruar se do të rihapë dy aeroporte, në Romë dhe Firence.
Aeroportet janë mbyllur që më 13 mars, ndërsa do të hapen të hënën, kur parashikohet edhe të rifillojnë nga puna mjaft kompani prodhimi dhe biznese të tjera.
REJHANE BUSHI METAJ
