Bushati: Beogradi t’i dënojë përgjegjësit

15.10.2014 17:51

Diplomacia shqiptare reagon ashpër pas incidenteve të rënda të ndodhura në stadiumin e Beogradit.........

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, deklaron se serbët provokuan shqiptarët, duke bërë thirrje raciste në stadium, gjë që sipas tij është lehtësisht e vërtetueshme nga pamjet filmike. Bushati tha se ka kërkuar të komunikojë me homologun e tij serb, Ivica Daçiç, por ai nuk ka qenë i gatshëm.

Sa i përket vizitës së planifikuar të kryeministri, Edi Rama, në Beograd, kryediplomati shqiptar tha se qëndrimi është i qartë, sporti nuk duhet përzier me politikën.

Një tjetër reagim ka ardhur më herët nga ish-ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi, i cili dënoi dhunën e ushtruar ndaj Kombëtares Shqiptare dhe u kërkoi autoriteteve serbe të vënë para ligjit përgjegjësit.

Ndërkohë, reagimet nga popullata shqiptare kanë qenë të vazhdueshme nëpër rrjetet sociale dhe në media, duke përkrahur djemtë e kombëtares dhe duke dënuar dhunën serbe ndaj shqiptarëve.

Dhe vetëm një ditë pas ndeshjes në Beograd, Bashkia e Tiranës i ka akorduar titullin “Mirënjohja e qytetit” Kombëtares Shqiptare. Kjo mirënjohje u jepet djemve të kombëtares për gjithçka që ata bënë në stadiumin “Partizani” pas dhunimit të flamurit të Shqipërisë etnike nga tifozët dhe lojtarët serbë.

Edhe Qeveria shqiptare ka vlerësuar  kombëtaren për krenarinë që i dhuroi Shqiperisë, por edhe për mesazhet shumë të qarta dhënë në fushën e blertë në Beograd dhe jashtë saj. (Luljeta Ndoka, TVM2)