Deputetët dakordohen, gjykatat marrin vendime selektive

15.10.2014 18:03

Pavarësisht përpjekjeve për reforma në sistemin e së drejtës, gjykatat ndajnë drejtësi selektive.........

Deputeti i BDI-së, Ramiz Merko, thotë se gjykatat nuk janë pavarësuar dhe formuar, prandaj edhe marrin vendime selektive. Kjo situatë konstatohet edhe në Raportin e Progresit të KE-së, tha Merko gjatë debatit për Raportin në Komisionin për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive. 

“Pikërisht edhe ky raport ka kritika rreth marrjes së vendimeve selektive dhe ndikimit në zbatimin e Ligjit të Gjyqësorit. Parimi themelor i sundimit të së drejtës është që drejtësia të arrihet. Shihet se nuk është respektuar plotësisht nga ana e pushtetit lidhur me aktivitetet për zbatimin e ligjit drejtë personave konkret, sepse janë bërë sigurisht selektime. Këtu sigurisht na brengos rasti ”Monstra”. Mendoj se nuk duhet të kemi arshin të dyfishtë. Duhet ligjin ta zbatojmë në tërësi.”- deklaroi Ramiz Merko nga BDI.

Merko jep vërejtje edhe rreth zbatimit të MO-së.

“Ekziston hapësirë për përmirësim në sferën e mosdiskriminimit, përfaqësimit të drejtë, si dhe të përdorimit të gjuhëve dhe arsimit.”-citon Merko raportin.  

Reforma në gjyqësor nuk mund të bëhet nëse pushteti nuk i heq kthetrat nga pushteti gjyqësor, thotë deputetja, Roza Karevska.

“Efikasiteti është i mirë, por për mua më e rëndësishme është pavarësia e gjykatave  që qytetarët të munden sa më shpejtë të vijnë deri te drejtësia dhe me të vërtetë të arrijnë drejtësinë dhe jo veç të mbarojnë proceset gjyqësore”- tha deputetja e pavarur, Roza Topuzova-Karevska.

Ministria veç më ka adresuar vërejtjet e KE-së te Këshilli për Reforma në Drejtësi, reagon zëvendësministrja e Drejtësisë. Sipas saj, në procedurë janë shumë ndryshime ligjore, madje dhe propozim-amendamentet kushtetuese që rregullojnë këtë fushë.  

“Ajo që është shënuar nga ana e KE-së si dobësi është adresuar në kuadër të Këshillit për Reforma në Drejtësi. Për momentin, në Maqedoni qëndron një mision ekspertësh, i cili ka për detyrë të shqyrtojë dhe të japë mendim ekspertësh për ligjet që kanë të bëjnë me gjyqësinë dhe kryesisht me rekomandimet që ka dhënë KE. Sa i përket pavarësisë, KE konstaton nevojën për avancimin e kornizës ligjore”- u shpreh zëvendësministrja e Drejtësisë, Biljana Boshkovska.

Vendi ngec edhe në luftën kundër korrupsionit. Deputetët kërkojnë që ligji të zbatohet për të gjithë njësoj, pavarësisht përkatësisë politike apo postit që mund të ketë personi i përfshirë në korrupsion. (Shpëtim Nuredini, TVM2)