Dita ndërkombëtare e “Shkopit të Bardhë”

15.10.2014 18:12

Ata nuk shikojnë si të tjerët, çdo gjë para tyre duket e zymtë, të verbrit kërkojnë vetëm pak ngjyrë në jetën e tyre.......

Ata duan të ecin lirshëm në qytet me shkopin e bardhë në duar dhe të ndjehen të sigurt, kërkojnë që në rrugë të vendosen semaforë  të zëshëm, që t’i sinjalizojnë se është koha për të kaluar rrugën. Por, sot, në “Ditën e shkopit të bardhë”, personat e verbër dolën të festojnë.

“Kjo është festë për ne, kemi ardhur këtu të festojmë. Kemi nevojë, se më japin 3600 denarë ndihmë sociale”- theksoi një qytetarë.

Shoqatat e të verbërve kërkojnë më shumë kushte për punë dhe për t’u përkujdesur për anëtarët e tyre. Ata kërkojnë edhe respektimin e gjuhës shqipe në shkrimin “Brai”.

“Unë, sa kam qenë në atë shkollë “Dimitar Vllahov”, pos shkrimit sllav, nuk ka pasur tjetër. I kisha apeluar rinisë që ka mundësi dhe mund të kërkojmë që të kemi shkrimin “Brai” edhe në shqip”- deklaroi anëtari i Shoqatës së të Verbërve, Dega Kumanovë, Qemajl Azemi.

Shoqata e të Verbërve në Kërçovë, ndërkohë kërkon sigurimin e një hapësire adekuate, ku të mund të zhvillojnë aktivitetet e tyre.

“Deri tash, në bashkëpunim me Komunën e Kërçovës jemi të kënaqur, në përjashtim me hapësirat e zyrave që nuk i kemi të volitshme për të kryer aktivitetet e kësaj lëmie”- tha kryetari i Shoqatës së të Verbërve në Kërçovë, Zenel Zylbehari.

Në “Ditën ndërkombëtare të shkopit të bardhë”, ministri i Punës dhe Politikës Sociale hapi edhe Qendrën e parë ditore për Fëmijët me Shikim të Dëmtuar. Janë përgatitur edhe libra të posaçëm për personat e verbër dhe me shikim të dëmtuar. Së shpejti do të fillojë edhe projekti për ndërtimin e rrugicave për këta persona. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)