Botë

Itali: Rreth 600 mijë emigrantë të paligjshëm përfitojnë leje të përkohshme qëndrimi për motive pune

04.05.2020 14:08

Qeveria italiane pritet të miratojë brenda muajit maj dekretin për dhënien e lejeve të përkohshme...

Qeveria italiane pritet të miratojë brenda muajit maj dekretin për dhënien e lejeve të përkohshme emigrantëve të paligjshëm, me qëllim punësimin sezonal në sektorin e bujqësisë dhe të asistencës sociale.
 
Pandemia COVID 19 ka vënë në vësthtirësi serioze dhe sistemin bujqësor në Itali. Masat e izolimit kanë penguar aktivizimin e sistemit të punësimit për punonjësit sezonalë të ardhur nga vende të tjera, me pasojë mosvjeljen e produkteve të stinës, duke bërë që parcelat bujqësore të mbeten pa punuar.
 
Ministrja e Bujqësisë Tereza Bellanova ka zhvilluar sot një takim me kryeministrin Giuseppe Conte dhe me kryetarët e grupeve parlametare të forcave politike, ku ka kërkuar miratimin urgjent për pajisjen me leje të përkohshme qëndrimi për motive pune të emigrantëve klandestinë që ndodhen në Itali për tu punësuar në sektorin bujqësor.
 
Ky proces do të përfshijë rreth 600 mijë emigrantë të parregullt në Itali dhe sipas ministres Bellanova do të evitonte dhe shfrytëzimin e tyre në punë të zezë.
 
Gjatë ditëve të fundit disa operacione të forcave të rendit kanë zbardhur problematikën e shfrytëzimit në tokat bujqësore të qindra emigrantëve klandestinë që punonin tëparregullt e të keqpaguar në territore të ndryshme të vendit nga veriu në jug.
 
"Emigrantët e mbyllur dhe që shfrytëzohen në punë nga kriminaliteti lokal janë një emergjencë sociale e shëndetësore që duhet evituar", ka deklaruar ministrja italiane e Bujqësisë.
 
Procesi i pajisjes me leje të rregullt qëndrimi do të përfshijë dhe punonjësit në sektorin e asistencës për të moshuarit e kujdestarëve shtëpiake.
 
Ministrja e Bujqësisë Teresa Bellanova e cila është në kontakt me ministren e brendshme Luciana Lamorgese dhe ministren e Punës Nunzia Catalfio ka kërkuar që ky dekret të aprovohet me urgjencë.
 
"Është një çështje që duhet të zgjidhet në këto orë. Nuk duhet të presim më shumë", ka thënë ajo për mediat italiane./Ora News