Botë

Mbi 3 milion e gjysmë të prekur me Kovid-19, në shumë shtete të botës nisin masat lehtësuese

04.05.2020 18:10

Pas dy muajsh karantinë, italianët u kthyen në vendet e punës...

Autoritetet italiane njoftuan fillimin e fazës së dytë të gjendjes së jashtëzakonshme. Rreth 4.4 milionë njerëz i janë drejtuar këtë mëngjes vendeve të tyre të punës.

“Nuk duhet ta harrojmë sakrificën e bërë në pjesën e parë dhe duhet të kuptojmë se do të ketë edhe shumë protagonistë në rezultatin përfundimtar. Prej sot kemi ndarë sasi të mëdha të mjeteve për mbrojtje personale. Jo vetëm për sistemin shëndetësor, por edhe për transportin publik dhe shërbimet tjera.”                                           

Po ashtu edhe në Spanjë tanimë janë lehtësuar masat. Kanë nisur edhe aktivitetet sportive.

“Sot ka më pak njerëz nga dje, por kjo është risi, po mbahet distancë dhe secili po mban maskë.”,- theksoi një qytetar.

“Dje u ngritëm herët dhe deshëm të dalim, kishte shumë njerëz.”,- u shpreh një qytetar.

Greqia ka nisur përgatitjet për sezonin turistik. Ndërsa në 50 për qind të shteteve në SHBA po ashtu kanë nisur masat lehtësuese, ndërsa në Australi autoritetet kanë lejuar tubime, por nën rregulla të caktuara.

Në Iran ka filluar hapja e objekteve fetare, ndërsa masat kanë filluar të zbuten edhe në shtetet tjera të Lindjes së Mesme.

Nga Organizata Botërore e Shëndetësisë kanë deklaruar se kthimi në jetën normale do të jetë i mundur vetëm nëse zbulohet një vaksinë, për çka po punohet në disa vende.

Ndërkohë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, ka prezantuar një nismë të liderëve evropianë të udhëhequr nga Brukseli, për t’i dhënë mbështetje një plani për mbledhjen e 7.5 miliardë eurove për gjetjen e vaksinës për COVID-19.

Britania do të angazhohet me 388 milion paund për kërkimet e vaksinës, testimit dhe trajtimit, informacion ky i dhënë nga kryeministri, Boris Xhohnson. Konferenca do të bashkëdrejtohet nga Britania e Madhe, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Norvegjia, Arabia Saudite dhe Komisioni Evropian.

Numri i personave që janë shëruar nga virusi Korona në mbarë botën ka tejkaluar shifrën prej një milion e 150  mijë, jetën e kanë humbur 247 mijë e 466 persona, ndërsa gjithsej janë konfirmuar 3 milion e 553 mijë e 313 persona.

SEDAT SELIMI