Botë
Deklarata e Zagrebit: Ballkani perëndimor e ka vendin në BE
05.05.2020 13:14
Unitet dhe solidaritet janë fjalët kyçe të draft-deklaratës të Samitit virtual të Zagrebit që zhvillohet më 6 maj....

Liderët e shteteve anëtare të BE-së dhe ata të rajonit në një video-konferencë, pritet të miratojnë deklaratën e përbashkët përmes së cilës, krerët e vendeve të BE-së dhe ato të Ballkanit do të konfirmojnë mbështetjen e plotë ndaj perspektivës evropiane të rajonit, por pa përmendur anëtarësimin në BE dhe ndonjë afat kohor. Fjala “zgjerim” apo “integrim në BE”, nuk figuron askund në draftin e tekstit të deklaratës, dhe samiti do të jetë pa referenca në shtete. Edhe deklarata në fjalë nuk do të përmend shtetet e rajonit, por atyre do t’u referohen si “partnerët nga rajoni”.
“BE-ja dhe një herë rikonfirmon mbështetjen e pa-rezervë për perspektivën Evropiane të Ballkanit Perëndimor, partnerët nga Ballkani Perëndimor konfirmojnë përkushtimin ndaj perspektivës Evropiane si zgjidhje të vendosur të tyre strategjike”, thuhet në një draft të deklaratës e cila duhet të miratohet nga liderët e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Theksi kryesor do të vihet si gjithnjë tek respektimi i parimeve dhe vlerat bazë të BE-së dhe tek vijimi i reformave të domosdoshme për transformimin e vendeve.
"Rritja e ndihmave do të lidhet me progresin e prekshëm në shtetin e së drejtës dhe në reformat ekonomiko-sociale, si dhe nga respektimi i vlerave, rregullave dhe standarteve të BE-së nga partnerët e Ballkanit Perëndimor", thuhet në dokument.
Në të nënvizohet rëndësia e garantimit të mbrojtjes së vlerave themelore dhe parimeve demokratike, megjithë masat e jashtëzakonshme për shkak të pandemisë. Mardhëniet e mira fqinjësore, procesi i pajtimit dhe zgjidhja e çështjeve dypalëshe janë një tjetër aspekt ku kërkohet gjithnjë përparim. Plani i shtatorit i Komisionit pritet të parashikojë ndihmat pas fazës së parë të pandemisë, kur do të nevojitet një plan i fortë ekonomik dhe investimesh për të rinisur ekonomitë e rajonit dhe duke përmirësuar konkurrencën.
Në pjesën më të madhe të dokumentit përmendet ndihma që BE ka dhënë dhe planifikon të japë, për vendet e rajonit të Ballkanit. Sidomos përmendet plani i Komisionit Evropian për të mobilizuar më shumë se 3,3 miliardë euro ndihmë për rajonin, për përballje me pasojat e pandemisë së shkaktuar nga virusi korona. Në këtë dokument citohet edhe fakti se “BE-ja ka dhënë më shumë ndihma se cilido partner tjetër, e kjo duhet të vlerësohet publikisht”.
GAZMEND KURTISHI
