Sulmet ajrore vrasin qindra militantë të IS-it
Pentagoni amerikan, ka bërë të ditur se koalicioni ndërkombëtar i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes sulmeve ajrore përreth Kobanit në Siri, ka vrarë me qindra militantë të Shtetit Islamik.......

Por, admirali, John Kirby, nuk ka sqaruar se për çfarë periudhe kohore janë vrarë qindra militantë.
Sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara përreth Kobanit, qytet afër kufirit me Turqinë, kanë filluar më 1 tetor.
Sipas Qendrës Komanduese të SHBA-së, sulmet e fundit në këtë vend kanë shkatërruar baza të shumta të militantëve të IS-it në zonën përreth Kobanit. Vetëm para dy dite, koalicioni ndërkombëtar i ka ndërmarrë 21 sulme ajrore kundër militantëve të IS-it në këtë vend.
Sipas Komandës Qendrore të Ushtrisë së SHBA-ve, këto sulme e kanë ngadalësuar avancimin e militantëve të Shtetit Islamik kundër mbrojtësve kurdë të Kobanit, por ka tërhequr vërejtjen se situata mbetet serioze.
Militantët e Shtetit Islamik e kanë nën kontroll afro 1/3 e Kobanit, që gjendet afër kufirit të Sirisë me Turqinë, në pjesën veriore dhe është i rrethuar nga militantët në jug, lindje dhe perëndim.
