Maqedoni

Kumanovë, 12 të shëruar dhe një i infektuar

06.05.2020 17:28

Pas 2 ditë pauze në Kumanovë, gjatë 24 orëve të fundit është regjistruar vetëm një i infektuar...

Pas  2 ditë pauze në Kumanovë, gjatë 24 orëve të fundit është regjistruar vetëm një i infektuar, duke e çuar në total 402 numrin e të prekurve nga virusi COVID-19.
 
Mirëpo, nga ana tjetër inkurajuese janë të dhënat se po vazhdon ngritja e numrit të të shëruarve. Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar edhe 12 pacientë të shëruar, duke e çuar në total në 308 numrin e të shëruarve. Ndërkaq, numri i të vdekurve mbetet edhe më tej 20, që është më i larti në vend.
 
Edhe nga Qendra për Shëndet Publik në Kumanovë njoftojnë për shifra inkurajuese, të cilat gati çdo ditë japin shpresa të mëdha për normalizim dhe mbajtje nën kontroll të situatës me COVID-19.
 
“Gjendja është më e qetë, kemi vetëm një rast pozitiv, kurse 12 të shëruar. Numri  i rasteve aktive në regjionin verilindor të RMV-së është 74, këtu përfshihen komunat: Kumanovë, Likovë, Nogoriçi i Vjetër, Kratovë, Rankovc dhe Kriva Pallankë, kështu që kemi arritur një sukses të madh në parandalimin e përhapjes së virusit Korona dhe u kemi ofruar pacientëve shërim adekuat.”,- tha drejtori i QSHP – Kumanovë, dr. Arif Latifi.
 
Arif Latifi gjithashtu njoftoi se po punohet intensivisht në kryerjen e testimeve të reja, por edhe bën apel për respektim të mëtejmë të rekomandimeve shëndetësore.
 
“Çdo ditë jemi duke bërë teste, sot kemi kryer 5 teste përmes “Termini im” dhe 20 teste sipas indikacioneve epidemiologjike. Ngritja e vetëdijes së popullatës, respektimi i rekomandimeve qeveritare dhe Ministrisë së Shëndetësisë, si distancimi social, mbajtja e dorezave dhe maskave  nga ana e popullatës, janë duke dhënë rezultat, duke na dhënë numër të ulët të të infektuarve, respektivisht është ndërprerë përhapja e zinxhirit të infeksionit dhe gjitha i kemi nën kontroll dhe besoj se situatë e këtillë do të mbizotërojë edhe në ditët në vazhdim.”,- tha mes tjerash dr. Latifi.
 
Pavarësisht përmirësimit të gjendjes me COVID-19, institucionet, por edhe qytetarët, po i respektojnë masat e autoriteteve shëndetësore dhe qeveritare për parandalimin e zgjerimit të virusit COVID-19.
 
Ekipet e NP “Pastrim dhe gjelbërim” me intensitet të pandërprerë po punojnë në dezinfektimin e ambienteve të mbyllura dhe të hapura, por edhe të rrugëve në qytet dhe rrethinë.
 
FATLUM AQIFI