Botë

Covid-19, pandemia ende rrezik për shumë shtete

07.05.2020 11:48

Britania tani ka numrin e dytë më të lartë në botë të vdekjeve nga virusi korona duke tejkaluar Italinë....

Britania tani ka numrin e dytë më të lartë në botë të vdekjeve nga virusi korona duke tejkaluar Italinë në fatalitete të lidhura me pandeminë. 32,313 persona kanë vdekur deri tani. Vendin e parë nga numri i fataliteteve vazhdon ta mbajë SHBA me 68.700 të vdekur. 
 
Një lajm i mirë vjen nga Italia ku për herë të parë numri i personave që kanë mundur sëmundjen e ka tejkaluar atë të të sëmurëve. Italia ka 93. 245 të shëruar dhe 91. 528 ende të prekur. Gjithsej Italia ka 29 684 viktima. Qeveria po punon  për një rihapje më të madhe pas bllokimit të rreptë. 
 
OBSH alarmon se është ende herët të mendohet kthimi në jetën normale. Gjermania është vërtetim se duhet punuar me kujdes. Pas lehtësimit të masave atje, në 24 orët e fundit u regjistruan 1.284 raste të reja me Covid-19, dhe 123 persona humbën betejën me virusin, për një total prej 7.119 vdekjesh. 
 
Teksa numri i rasteve të prekura me virusin korona është duke rënë në Evropën Perëndimore, e kundërta është duke ndodhur në Evopën Lindore, në Afrikë, Azinë Juglindore, Lindjen e Mesme dhe Amerikë. Brazili regjistroi të paktën 10,503 raste të reja të koronavirusit dhe 615 vdekjeve në 24 orët e fundit dhe  aktualisht ka numrin më të madh të rasteve të koronaviruseve në Amerikën Latine. 
 
Kina ka raportuar se fundmi vetëm dy raste të reja të importuara me COVID-19. Megjithë këmbënguljen e vazhdueshme Shtetet e Bashkuara duket se nuk janë më të sigurtë se pandemia e ka origjinën nga një laborator në Vuhan të Kinës. Sekretari i Shtetit Amerikan Mike Pompeo pranoi se nuk mund të ishte i sigurtë. Pekini ka mohuar në vazhdimësi  pretendimet se nuk ka njoftuar botën me kohë, se nuk ka qenë transparente dhe supozimet se virusi është i lidhur me një laborator në Vuhan. 
 
Sipas të dhënave të universitetit John Hopkins, në gjithë botën janë: 3,685,129 njerëz të infektuar, 258,051 të vdekur dhe 1,208,139 të shëruar nga ky virus. Një studim gjenetik i mostrave të më shumë se 7.500 personave të infektuar me COVID-19 ka treguar se koronavirusi i ri është përhapur me shpejtësi përreth botës, duke  pësuar pothuajse 200 mutacione.