Ekspertët: Emri dhe zgjidhja e kontestit janë ende shumë larg
Mediat greke kanë përgënjeshtruar lajmin se ndërmjetësuesi i KB-së, Metju Nimic, do të dalë me propozim të ri për tejkalimin e ngërçit politik rreth emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë.........

Në këtë kontekst, gazeta "Kathimerini" shkruan se Greqia nuk do të bëjë kompromis për kërkesat e saj.
Ndërkohë, njohësit e kësaj çështje vlerësojnë se Greqisë nuk i bëhet vonë, ndërsa Maqedonia duhet të jetë ajo e cila duhet të kërkojë rrugëdalje nga bllokimi drejt integrimit euroatlantik të vendit.
“Në qoftë se emri i shtetit, përkatësisht propozimet e reja që mund të vijnë për zgjidhjen e kontestit të emrit nuk do të cenojnë identitetin e dy bashkësive etnike më të mëdha në vend, nuk do të prekin çështjen e gjuhës në njërën anë dhe në anën tjetër nuk do të cenojnë lidhjen juridike të karakterit publik të qytetarëve të Maqedonisë, të cilët jetojnë në këtë territor kompakt me sovranitetin e Shtetit të Maqedonisë, atëherë vlerësojmë se nuk është keq që të pranohet edhe ndonjë alternativë tjetër e emrit, me qëllim që Maqedonia ta kapërcejë këtë pengesë teknike dhe pse jo të provokojmë z. Nimic dhe të tjerët të japin edhe oferta të tjera për të zgjidhur këtë kontest, me të cilin Maqedonia do të mund edhe të lëviz më mirë dhe më drejt në rrugën e zhvillimeve euroatlantike”- deklaroi profesori universitar, Agim Nuhiu.
Nga ana tjetër, profesori universitarë, Denko Maleski, thotë se në mungesë të dialogut brenda faktorëve politik të vend për shumë çështje tjera, as që mund të paramendohet zgjidhja e shpejtë për emrin. Sipas tij, paralajmërimet e tilla nuk kanë bazë reale, aq më tepër kur mungon konsensusi i brendshëm lidhur me këtë çështje.
“Është e qartë se derisa nuk i shohim faktorët politik të vendit të ulur në një masë me fytyra të brengosura, të cilët kërkojnë rrugëdalje nga situata dhe derisa kemi këtë gjendje në të cilën opozita është jashtë parlamentit, nuk ka dialog midis pushtetit dhe opozitës dhe derisa kemi qëndrime të kundërta brenda vetë opozitës në bllokun maqedonas dhe atë shqiptarë, është e qartë se paralajmërimet e këtilla nuk kanë bazë reale”- tha profesori universitarë, Denko Maleski.
Maleski, gjithashtu thotë se bëhet fjalë për çështje shumë serioze, të cilën nuk do të mund të na e zgjidhë Metju Nimic i KB-së, NATO apo BE. Nëse ne nuk jemi në gjendje vetë brenda të tregojmë aftësi për të gjetur rrugëdalje, nuk duhet të presim zgjidhje nga një njeri dhe kjo ashtu nuk do të ndodhë, thotë ai. (Naim Ramadani, TVM2)
