“Dita ndërkombëtare kundër urisë”

16.10.2014 15:55

Familjen Rexhepi nga fshati Sfillare e Shkupit, ka një kohë të gjatë që e shoqëron skamja dhe varfëria......

Kjo familje 4 anëtarëshe gjashtë vite me radhë jeton në ankth, duke mos pasur mundësi të sigurojë as ushqimin.

Kryefamiljari i kësaj familje i ka braktisur ata, ndërsa zonja e shtëpisë është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe vuan nga problemet kardiovaskulare. Me lot në sy, për TVM-2 tregojnë se shpeshherë ditët i kalojnë pa ngrënë fare. Luksi më i madh që kanë pasur në tavolinën  e tyre muajve të fundit është buka.

“Kemi lyp bukë nga fqinjët, një kafshatë buke sa për të kapërcyer, sepse nuk kishim ku të marrim. Kemi mbetur shpeshherë pa ngrënë, xhaxhai deri para një kohe nuk ka punuar, tani pak punon. Nusja e xhaxhait punon, ajo sjell bukë për vete dhe për ne”- tha Eiza Rexhepi, vajza e familjes Rexhepi.

“Unë isha një muaj në spital. Për çdo ditë më vinin fëmijët në spital, më thoshin mos u mërzit mami unë jam këtu”- u shpreh Igballe Rexhepi, nëna e Elizës.

Mungesën e ushqimit e  ndjejnë miliona njerëz në botë, andaj 16 tetori është “Dita ndërkombëtare e urisë”, e cila gjithmonë na përkujton se duhet ndihmuar njerëzit në nevojë. Aksione të ndryshme humanitare për grumbullimin e mjeteve financiare dhe ushqimit veç më kanë filluar të realizohen në Shkup, nën moton “Mendoni edhe për ne”.

“Të dhënat nga Entit Statistikor tregojnë se 27 për qind kanë nevojë për shtimin e ushqimit. Nëse keni parasysh se afro 550 mijë qytetarë të Republikës së Maqedonisë për një moment kanë mungesë të ushqimit dhe atëherë shihet edhe nevoja për një aktivitet të tillë. Pas mbarimit të fushatës, që do të zgjasë një javë, do t’i ndihmojnë personat  në nevojë, të cilët të paktën për një moment do t’ua zbusim nevojat e tyre për ushqim”- deklaroi sekretari i përgjithshëm i “Kryqit të kuq”, Sait Saiti.

Organizata për Ushqim pranë Kombeve të Bashkuara, informon se ekzistojnë rreth 805 milionë njerëz të uritur në botë, prej të cilëve 26 për qind fëmijë që kanë probleme në zhvillimin e tyre për shkak të mungesës së të ushqyerit të mjaftueshëm, ndërsa çdo vit, 5 milionë fëmijë nën moshën 5 vjeçare vdesin nga uria. (Rexhep Qamili, TVM2)