Izairi: Masa ndaj kompanive pa leje ekologjike
Ministria e Ambientit po ndërmerr një sërë masash për mbrojtjen e mjedisit jetësor, me qëllim që qytetarët të jetojnë në mjedis të shëndoshë dhe të pastër, në përputhje me standardet evropiane, deklaroi ministri i Ambientit Jetësor, Nurhan Izairi, duke prezantuar punën 100 ditore në krye të kësaj ministrie dhe projektet e planifikuara.......

Në këtë kontekst, ai përmendi masat për vendosjen e sistemeve të integruara për menaxhim me mbeturina, vendosjen e sistemeve për menaxhim të integruar të ujërave, pellgjeve të lumenjve, trajtimin e ujërave të zeza, mbrojtjen e natyrës dhe diverzitetit biologjik, apo mbrojtjen e ajrit nga ndotja.
“Projekte kapitale infrastrukturore në sferën e furnizimit me ujë janë 8 ujësjellës aktual, ndërsa të planifikuar për të ardhmen janë edhe dy. Projekte kapitale infrastrukturore në sferën e ujërave të zeza janë tetë kanalizime aktualisht për t’u realizuar, ndërsa në planifikim janë edhe tre. Projekte për përgatitjen e dokumentacionit projektues në sferën e grumbullimit të ujërave të zeza, të planifikuara janë dy. Projekte kapitale në sferën e trajtimit të ujërave të zeza, stacione të pastrimit të ujërave fekal aktualisht janë 5, të planifikuara edhe katër. Projekte për përgatitjen e dokumentacionit themelor për trajtimin e ujërave të zeza, aktual 6, të planifikuar edhe një. Projekte për menaxhim me ujëra të zeza, pellgje lumenjsh, aktuale janë katër. Projekte për menaxhim me mbeturina, aktuale dy, të planifikuara edhe një. Projekte në sferën e mbrojtjes së natyrës aktuale, katër, gjithashtu të planifikuara edhe katër. Dhe projekte për mbrojtjen e ajrit nga ndotja, një aktual, i cili po realizohet në vazhdimësi”- deklaroi ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Nurha Izairi.
Po ashtu, ministri Izairi bëri të ditur se nëse Kompania “Jugoherom” deri më 31 tetor, kur skadon afati ligjor për plotësimin e kushtit për t’u pajisur me lejen e integruar ekologjike A, nuk e plotëson këtë kusht ose nëse nuk e ndërpret punën, ministria do të reagojë në përputhje me ligjin. Lejen e integruar ekologjike nuk e posedon edhe Kompania “Makstil”.
Ndryshe, matjet e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor tregojnë se ndotja e ajrit në Tetovë, Kërçovë, Manastir, si dhe në komunat e Shkupit, Lisiçe dhe Qendër, është shumë e lartë. (Gyltene Sinani, TVM2)
