Curri hapë në Shkup institutin internacional të modës
Kreatori dhe dizajneri shqiptar, Izet Curri, i cili krijimtarinë e tij e ka zhvilluar në Paris, tani është kthyer në vendlindjen e tij për të hapur Institutin Internacional të Modës..........

Ky institut do të ofrojë kurse intensive prej tre deri më nëntë muaj dhe degët të cilat ofrohen janë modelimi, stilizimi, prerja dhe qepja, sepse industrisë së tekstilit i mungojnë profesionistë.
“Është një gjë absurde që ndodh në Maqedoni, industria më e madhe në Maqedoni është e tekstilit dhe nuk ka modelizëm nuk ka stilizëm. Ajo është sikur me hap klinika, por që nuk kanë mjek dhe ne do të mundohemi të modelojmë që t’ia japim shansin industrisë dhe shumë njerëzve të bëjnë punën profesionale”- deklaroi dizajneri, Izet Curri.
Të rinjtë në Maqedoni janë të talentuar për këto profesione, por edhe më tej mbizotëron vulgarizimi në veshje apo ndikimet perëndimore ose orientale, prandaj tërë njohuritë e mia do t’ua bart brezit të rinj, thotë Curri.
“Unë në Francë kam shkuar me një zanat, me një qese të plastikës dhe tash mendoj se tash jam kthyer me një kufer dhe atë duhet ta shpërndaj”- tha Curri.
Të rinjtë thonë se janë të interesuar të mësojnë nga një personalitet eminent në fushën e modës.
“Kur kam dëgjuar për shkollën që do ta formojë profesori Izet, nuk kam menduar dy herë dhe jam regjistruar, sepse është profesor që punën që e ka bë ai mundohet t’ua japë studentëve”- u shpreh një studente.
“Kam dashur të marr eksperiencë prej profesorit, i cili na mëson shumë mirë dhe jep gjithçka prej vetes për dallim prej profesorëve tjerë”- theksoi një studente.
Si stilist mode, Curri ka veshur me kreacionet e tij edhe disa emra të njohur, si: Richard Gere, Michael Douglas, Maria Felix, Gerard Depardieu. Ai, pas një viti planifikon të hapë edhe fakultetin e modës. (Flutura Latifi, TVM2)
