Shqipëri, vazhdon ulja e të infektuarve nga Covid-19

08.05.2020 18:50

Në Shqipëri ka vazhduar ulja e numrit të personave të infektuar nga virusi Korona...

Në Shqipëri ka vazhduar ulja e numrit të personave të infektuar nga virusi Korona. Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se në 24 orët e fundit janë konfirmuar vetëm 8 raste të reja me Covid-19.

Deri tani në Shqipëri janë konfirmuar 850 raste, nga të cilat 620 persona janë shëruar, ndërsa 31 kanë humbur jetën.

“Rritja e vigjilencës hetimi dhe gjurmimi epidemiologjik në mënyrë aktive janë element që minimizojnë përhapjen e virusit në vend.”,-- tha Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik.

Kryeministri, Edi Rama, ka bërë të ditur se bashkitë e Shkodrës, Kurbinit, Krujës, Durrësit, Tiranës dhe Fierit do të blindohen me postblloqe dhe nuk do të lejohet hyrje-dalja e automjeteve të paautorizuara. Ndërsa e gjithë pjesa tjetër e vendit do të jetë e gjelbër.

Rama njoftoi edhe oraret e reja të qarkullimit për në fundjavë.

Kosovë, donacion 5,000 teste për virusin Korona

Në Kosovë Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim  së bashku me Qeverinë e Luksemburgut i ka dorëzuar 5,000 teste autoriteteve shëndetësore. Në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 861 raste me virusin Korona. Prej tyre, 561 janë shëruar, ndërsa 28 kanë vdekur. (Gyltene Sinani, TVM2)