Ahmeti: Nëse duam BE-në, duhet të jemi autokritikë
Lideri i BDI-së, Ahmeti, pajtohet tërësisht me konkluzat e progres-raportit të KE-së, sidomos në pjesën e realizimit të reformave në gjyqësi, administratë dhe lirinë e medieve.......

Ahmeti, thotë se orientimet që dalin nga progres-raporti të mos interpretohen, por të implementohen në praktikë. Ai edhe njëherë partive opozitare ju bëri thirrje që të kthehen në kuvend, që është edhe kërkesë e progres-raportit.
“Brukseli është vend mik i vendit tonë, në raport nuk ka tendencë negative, por orientim se çka duhet të bëhet. Reformat në gjyqësi sigurisht se na duhen, ata nuk kërkojnë reforma në Hamburg, por në vendin tonë. A ka gjyqësi selektive, po ka gjyqësi selektive. A ka administratë të partizume dhe politizume, sigurisht se ka. A janë të gjithë mediat e lira? A janë të gjithë gazetarët unikë? A janë të gjithë pronarët e TV-së në rregull? Janë çështje që hapen në këtë progres-raport. Sigurisht që shoqëria duhet të angazhohet”- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Ahmeti, nuk i kurseu as autokritikat për partinë e vet dhe kritikat për partnerin e koalicionit, sa i përket vazhdimit të reformave që i kërkon BE.
“Nëse dëshiron të jesh pjesë e BE-së, duhet të jesh edhe autokritik. Nëse do progres në vendin tënd, duhet të jesh autokritik. Pse ju mendoni se të gjithë në BDI janë engjëj, pse a nuk e keqpërdorin pushtetin? Pse a të gjithë engjëj janë të VMRO-DPMNE-së? Jo! Sa më transparent aq më mirë jo për Evropën, por për vendin tonë”- tha Ahmeti.
Duke komentuar incidentin në lojën Shqipëri-Serbi, Ahmeti tha se zhvillimet në sport duhet të gjykohen nga FIFA, UEFA dhe dy Federatat, e Shqipërisë dhe e Serbisë dhe nuk duhet të involvohen partitë politike, personalitetet publike për të gjykuar sportin, duke shtuar se Ballkani ka një agjendë, pajtimin, afrimin dhe integrimin.
I pyetur se ku ka arritur procesi gjyqësor për “Monstrën” dhe ankesat e BDI-së në institucionet ndërkombëtare, Ahmeti u shpreh se pret që të përmbyllet lënda në Gjykatën e Apelit dhe se për të njëjtën i ka njoftuar dhe ka kërkuar mbështetjen e institucioneve amerikane. (Afrim Tanallari, TVM2)
