Rekomandimet e KE-së, ulin në tryezë sektorin e drejtësisë

16.10.2014 17:18

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi, ka ulur sot në një tryezë ministrin e Drejtësisë, kryetaren e Gjykatës Supreme, kryetaren e Këshillit Gjyqësor dhe drejtoren e Akademisë së Gjykatësve dhe Prokurorëve Publik për të diskutuar rreth vërejtjeve në sferën e gjyqësorit në raportin e Komisionit Evropian.......

Besimi, pranon se me diskutimin e sotëm as nuk fillon e as nuk përfundon procesi reformues në gjyqësi, por diskutimet janë të rëndësishme për përforcimin e koordinimit të përbashkët për ndërmarrje të aktiviteteve konkrete që do të kontribuojnë në proces.

“Ideja që sot jemi ulur bashkë është që të flasim për çdo fjalë të raportit, ç’farë mund të përmirësohet në periudhën që vjen, me qëllim që imazhi për Republikën e Maqedonisë në drejtim të funksionimit të gjyqësorit të përmirësohet edhe vetë sistemi gjyqësor dhe të krijohet një besueshmëri më e lartë te qytetarët e vendit”- deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi.

Një mision i ekspertëve të TAEKS po qëndron në vendin tonë, me qëllim të monitorimit dhe ndihmesës së institucioneve vendore në përsosjen e kuadrit ligjor.

“Gjatë kësaj periudhe, në Maqedoni po qëndron një mision i BE-së, që punojnë me procedurat që kanë të bëjnë me emërimin e gjykatësve, sistemin e evoluimit të gjykatësve, masat disiplinore dhe temën tjetër që ka të bëjë me arsyeshmërinë e vendimeve gjyqësore, që të rritet cilësia në gjyqësi dhe transparenca”- tha Besimi.

Për  përmirësimin e sistemit gjyqësor në kuadër të IPA-1, në periudhën prej 2007–2013 janë përgatitur gjithsej 15 projekte me vlerë prej rreth 17 milionë euro. Shfrytëzues të fundit të këtyre mjeteve përveç Ministrisë së Drejtësisë janë edhe Gjykata Administrative, Akademia e Gjykatësve dhe Prokurorëve Publik, Këshilli Gjyqësor i Republikës së Maqedonisë, Këshilli i Prokurorëve Publik, Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Prokuroritë Publike dhe të gjitha institucionet tjera gjyqësore. (Naim Sinani, TVM2)