Dialog gjatë shqyrtimit të ndryshimeve kushtetuese
Të gjitha subjektet politike të përfshihen në debatin për ndryshimet kushtetuese. Ky është qëndrimi i Komisionit të Venecias në lidhje me ndërhyrjet në aktin më të lart juridik të shtetit.......

Ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari, njoftoi se gjatë ndërhyrjeve në projekt-amendamentet do të merren parasysh të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet e Komisionit të Venecias.
“Komisioni i Venecias fton të gjitha palët, si opozitën ashtu edhe pozitën, që në këtë fazë deri në momentin e miratimit, respektivisht aprovimit të ndryshimeve kushtetuese, të kenë një rol konstruktiv. Është më se e vërtetë se Komisioni i Venecias në një pjesë të saj jep sugjerime dhe vërejtje për momentin aktual të propozimit, respektivisht të sjelljeve të ndryshimeve kushtetuese në drejtim të asaj se mungon opozita. Megjithatë, nga ana tjetër, komisioni jep sugjerime dhe rekomandime se pozita aktuale në organin ligjdhënës në kuvend ka numër të mjaftueshëm të votave për miratimin e ndryshimeve kushtetuese”- deklaroi ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari.
Pas debateve dhe rekomandimeve të Komisionit të Venecias, qeveria do të përpilojë versionin përfundimtar të ndërhyrjeve kushtetuese, në disa do të behet ridefinim.
Me amendament kushtetues vetëm martesa do të definohet si bashkësi vetëm mes një gruaje dhe burri, ndërsa bashkësia jashtëmartesore do të rregullohet me ligj, i cili duhet të sigurojë dy të tretën e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve, si dhe me kushtetutë do të jepet mundësi për themelimin e zonave ndërkombëtare financiare.
“Përmes mendimeve të Komisionit të Venecias, ne si Ministri e Drejtësisë do të pranojmë që themelimi, funksionimi, organizimi i zonave ndërkombëtare financiare të rregullohet me ligj të veçantë. Komisioni theksoi se miratimi i dispozitave kushtetuese, që imponojnë limitimin e deficitit buxhetor, përmbush një synim ligjor”- tha Jashari.
Jashari gjithashtu njoftoi se Komisioni i Venecias ka vlerësuar pozitivisht propozimin që ministri i Drejtësisë dhe kryetari i Gjykatës Supreme mos të jenë anëtarë të Këshillit Gjyqësor, ndërsa do të merret parasysh edhe sugjerimi i këtij komisioni që anëtarët e Këshillit Gjyqësor të mos jenë nga radhët e gjyqtarëve aktiv. (Sanije Kasami, TVM2)
