Botë

Virusi Korona, në mbarë botën 4 milion e 100 mijë të infektuar

10.05.2020 12:52

Ka arritur në mbi katër milionë e 100 mijë numri i personave të infektuar...

Ka arritur në mbi katër milionë e 100 mijë numri i personave të infektuar me virusin Korona në mbarë botën. Ndërsa numri i vdekjeve ka kaluar shifrën prej 279 mijë. ShBA-të vazhdojnë të jenë shteti më i goditur me 1,3 milion të infektuar dhe 79 mijë të vdekur.

Në baza ditore, në disa vende ka nisur të bie numri i viktimave, përfshirë Spanjën dhe Italinë, por ka shqetësime se lehtësimi i masave të izolimit mund të çojë deri te një “valë e dytë” e infektimeve.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka krijuar një sistem të ri të alarmit për kërcënimin nga virusi Korona, i cili ka pesë nivele. Mbretëria e Bashkuar është vendi i katërt në botë me numrin më të madh të të infektuarve, me mbi 218 mijë persona të infektuar dhe mbi 31 mijë të vdekur.

Rusia ka shënuar një numër rekord të rasteve të reja me Kovid-19. Në 24-orët e fundit, sipas autoritete, janë regjistruar 11 mijë e 12 raste të reja, duke e çuar në 209 mijë e 688 numrin e përgjithshëm të personave të infektuar.

Po ashtu janë shënuar edhe 88 viktima, duke bërë që numri i përgjithshëm i të vdekurve në Rusi të arrijë në 1 mijë e 915. Rusia është vendi i pestë në botë me numrin më të lartë të personave të infektuarve.

Një raport i inteligjencës gjermane pretendon se presidenti kinez, Xi Jinping, personalisht i kërkoi drejtorit të përgjithshëm të OBSh-së, Tedros Adhanom, të vonojë një paralajmërim global për kërcënimin e COVID-19. Der Spiegel publikoi akuzat këtë fundjavë, duke përmendur Shërbimin Federal të Inteligjencës.

Sipas BND-së, më 21 janar, udhëheqësi i Kinës, Xi Jinping, kërkoi nga shefi i OBSh-së të mbajë informacione rreth një transmetimi nga njeriu në njeri dhe të vonojë një paralajmërim pandemik.

BND vlerëson se kjo humbi katër deri në gjashtë javë për të luftuar virusin. Por, OBSh menjëherë i quajti “të pabaza dhe të pavërteta pretendimet”. Tedros dhe presidenti Xi nuk folën më 21 janar dhe ata kurrë nuk kanë folur me telefon.

“Raporte të tilla të pasakta shpërqendrojnë dhe dëmtojnë përpjekjet e OBSh-së dhe botës për t’i dhënë fund pandemisë COVID-19”,- thuhet në reagimin e OBSh-së.

Gjatë muajit prill, një pretendim të ngjashëm e pati edhe administrata Trump, prandaj presidenti amerikan vendosi të ndalojë financimin e OBSh-së.

REJHANE BUSHI METAJ